Katër ditë pas grabitjes së armatosur të Bankës NLB, në Çair, asnjë gjurmë nga autorët. Organet kompetente nuk zbulojnë nëse kanë informata por edhe pista për të zbuluar katër grabitësit e armatosur, të cilët lënduan dy të punësuar, sigurimin e bankës dhe plaçkitën 150 mijë euro. Ministri e brendshme topin e hedh tek Prokuroria Publike.

Nga Prokuroria Publike Themelore përgjigjen shkurtë se urdhëresat e tyre ia kanë dorëzuar Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila punon në zbardhjen e rastit.

Prokuroria Publike

Ju njoftojmë se prokurori publik i ka dhënë të gjitha urdhëresat e duhura. Për momentin policia punon në zbulimin e autorëve.

Të njëjtat përgjigje nga Ministria e Brendshme dhe Prokuroria publike i morëm edhe për grabitjen e Halk Bankës në lagjen Vizbeg të Shkupit, e cila ndodhi më 4 shkurt për të cilin rast akoma nuk dihen autorët.