Avokati i Popullit vitin e kaluar ka pasur mjaft punë, duke pasur parasysh numrin e ankesave që janë dorëzuar nga qytetarët – 4500 ankesa.

Qytetarët më shumë janë ankuar për punën e pushtetit gjyqësor, punësimeve partiake, gjegjësisht kurdisjen e konkurse,ve kushteve joadekuate në burgje dhe shtëpitë e fëmijëve pa prindër, si dhe veprimin joligjor të organeve policore.

Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në vitin 2018, janë dorëzuar 947 ankesa për punën e gjykatave dhe ky numër është dyfish më i madh nga viti paraprak.

“Tejzgjatja e procedurave, është problem bazë për të cilin kërkohet mbrojtje, ndërsa i madh është edhe numri i ankesave të qytetarët që shprehin pakënaqësi për vendimet gjyqësore, për të cilat mendojnë se janë sjellur në mënyrë të njëanshme, selektive dhe nën presion nga politika”, tha zv.Avokatja e Popullit, Vaska Bajramovska, gjatë prezantimit të raportit vjetor për punën e këtij institucioni.

Për 60 përqind është rritur edhe numri i ankesave për shkelje të të drejtave të marrëdhënies së punës. Qytetarët janë ankuar për konkurse partiake, vendosjen e orarit joadekuat në vendin e punës, për shkak të përkatësive politike, si dhe mosvazhdim të kontratave për punë.

Bajramovska tha se shkelje të së drejtës ka edhe në fushën sociale, mbrojtjen e fëmijëve, të drejtat pronësore dhe të konsumatorëve.

Ndryshe, institucioni i Avokatit të Popullit raportin e ka dorëzuar në Kuvend dhe ka kërkuar të shqyrtohen lëshimet e evidentuara, si dhe të gjenden mjete efikase për zgjidhjen e tyre.