Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov priti në takim homologun e tij shqiptar, Gent Cakaj. Në takimin dypalësh u bisedua për projektet e përbashkëta mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe shkëmbimin e përvojave në procesin integrues. I pari i diplomacisë së vendit falënderoi Cakajn për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë rrugëtimit në procesin e deritanishëm drejt integrimeve euroatlantike.
“Iu falënderova për shpejtësinë që Kuvendi i Shqipërisë tregoi në ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Folëm edhe për situatën në rajon. Suksesi i një shteti në rajon nënkupton sukses për të gjithë rajonin. Shpresojmë që në qershor do të na pret një gëzim i përbashkët”, tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj inkurajoi Maqedoninë e Veriut për hapat e ndërmarrë, duke kujtuar rolin shqiptarëve nga Marrëveshja e Ohrit deri tek Marrëveshja e Prespës. Cakaj paralajmëroi mbledhje të re ndër-qeveritare.
“Ne besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rrugëtimi i përbashkët drejtë anëtarësimit në BE, është një vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit në përgjithësi, fuqizimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërshtetëror në përgjithësi”, u shpreh Gent Cakaj, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Ditë më parë, kreu i diplomacisë shqiptare takoi liderët e partive politike shqiptare.
Comments are closed for this post.