Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, sot ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën ka raportuar për personat e zhdukur dhe informacionet që u përhapën ditëve të fundit në lidhje me këtë temë.

Spasovski i quajti dezinformime dhe spekulime informacionet se personat të cilët janë denoncuar si të zhdukur, kanë qenë viktima të trafikimit me organe.

“As nuk ka raste të kidnapimeve, as raste të mungesës së organeve tek personat që kohëve të fundit kanë ndërruar jetë. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë rast të vrasjes për nxjerrje të organeve”, tha Spasovski

Ai gjithashtu tha se nuk janë të sakta të dhënat se rritet numri i personave të zhdukur.

“Statistikat tregojnë se në 2018 ka pasur 370 të denoncuar si të zhdukur, ndërsa në vitin 2014 ka pasur 574 persona të zhdukur. Sot MPB është institucion transparent për dallim nga më parë kur nga opinioni fshiheshin vrasjet”, tha Spasovski.

Për rastet e të zhdukurve, ai tha se më shpesh përfundojnë me vetëvrasje dhe për këtë MPB respekton privatësinë e familjeve dhe nuk respekton më shumë informacione.