Qeveria funksionon në mënyrë të bashkuar dhe unike. Shumica është stabile dhe ka mbështetje të pastër prej dy të tretave në Kuvendin e Maqedonisë, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

I pyetur për informacionet se Arben Taravari do të largohet nga koalicioni Vredi, Mickoski tha se në opinion ka shumë informacione dhe se do të përmbahet nga çdo koment.

Unë do të thoja vetëm se Qeveria funksionon e bashkuar, vetëm. Kjo Qeveri jozyrtarisht ka një mbështetje të pastër prej dy të tretash në Kuvendin e Maqedonisë, në realitet e mbështesin 78 deputetë, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Komunën e Tetovës.

E kuptoj, tha Mickoski, pse ka shqetësim publik, por për dallim nga e kaluara, shumica është stabile.

Për dallim nga e kaluara kur shumica vareshin çdo ditë në këmbë xhami, kësaj radhe është stabile dhe duhet ta lëmë Qeverinë të punojë ashtu siç ka qenë, tha Mickoski.

Lidhur me akuzat e BDI-së, Mickoski tha se “sa më shumë zyrtarë të BDI-së të kapen në krim gjatë punës në të kaluarën, aq më shumë do të intensifikohet retorika e tyre”.

Ne punojmë dhe kemi dëshmuar që punojmë pa dallim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Për këtë Qeveri, në pothuajse 26 mijë kilometra katrorë është i rëndësishëm çdo kilometër katror, ​​pavarësisht nëse atje jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë, romë, boshnjakë e të tjerë. Pavarësisht nëse është kryetar i Vredit, i VMRO-DPMNE-së apo i ZNAM-it, i BDI-së, i LSDM-së apo i ndonjë të pavarur, interesi ynë janë qytetarët, tha Mickoski.

Deklarata e Ali Ahmetit se shqiptarët në vend janë të degraduar, Mickoski e cilësoi të kotë, sepse siç tha ai, kjo Qeveri ka shumë suksese për të gjithë qytetarët.

Ne nuk i ndajmë qytetarët kështu, kemi një shoqëri multietnike, të cilën duhet ta ushqejmë dhe të vazhdojmë në atë drejtim. Qytetarët i ndajmë në ata që janë besnikë, të ndershëm dhe që shtojnë vlerën, që respektojnë ligjet dhe Kushtetutën dhe ata që nuk i respektojnë dhe duhet t’u përgjigjen atyre ligjeve dhe Kushtetutës. Këtu nuk ka ndarje etnike apo politike, theksoi Mickoski.