Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari deklaroi sot se është shkarkuar nga detyra drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës Stefan Trajanovski. Ka shqyrtuar dokumentacionin e inspeksionit sanitar shtetëror dhe, ashtu siç tha, ministria ka konstatuar se ka parakushte për shkarkimin e drejtorit të spitalit të Kumanovës.
Taravari sot ka vizituar familjen e të riut nga Kumanova i cili ka ndërruar jetë më 17 mars në spitalin e përgjithshëm të Kumanovës pas pranimit të terapisë. Nesër, ashtu siç ka paralajmëruar, do të emërohet drejtori i ri i spitalit. Ministria po shqyrton dy deri në tre emra nga radhët e institucionit publik shëndetësor në Kumanovë.
“Isha në familjen për t’i shprehur ngushëllimet e mia të ndjerit 32 vjeçar Vedat Ademi para se të vija këtu. E lexova raportin që ishte përgatitur nga inspektorati sanitar republikan shtetëror dhe shumë lehtë mund të konstatohet se tashmë ka parakushte, do të thosha, që drejtori i Spitalit të përgjithshëm në Kumanovë të shkarkohet nga ajo pozitë. Shpresoj se nesër pas konsultimeve me kolegët në ministri, të emërojmë drejtor të ri të Spitalit të Përgjithshëm në Kumanovë”, deklaroi Travari në sheshin e qytetit të Kumanëvës.
Taravari informoi se një ekip profesional nga Ministria e Shëndetësisë do të shqyrtojë në detaje të gjithë dokumentacionin, i cili pastaj do të kalojë në Prokurori. Taravari tha se të gjithë ata që drejtojnë institucionet dhe mjekët duhet të mbajnë përgjegjësi nëse ka ndonjë lëshim.
“Tani ekipi profesional i cili është përbërë nga Ministria e Shëndetësisë duhet të vijë dhe të shqyrtojë edhe një herë të gjitha dokumentet dhe më pas të gjitha t’i kalojnë prokurorisë, shpresoj që gjyqësori të marrë një vendim të drejtë nëse ekziston gabim mjekësor. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se si ata që drejtojnë institucionet ashtu edhe ata që trajtojnë pacientët duhet të mbajnë përgjegjësi nëse ka lëshime. Prandaj nga nesër do t’ju njoftoj dhe ministria do të dalë me emrin e drejtorit të ri të Spitalit të përgjithshëm në Kumanovë”, deklaroi Taravari.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për lëshimet specifike të identifikuara nga Inspektorati, ministri i Shëndetësisë Taravari tha se nuk është korrekte që opinioni të mësoje informacione para institucioneve zyrtare.
“Unë nuk do të doja të flisja për këtë. Mendoj se ka disa gjëra të cilat janë të pasakta, që nuk janë ashtu siç duhet, prandaj tashmë ka kushte për të shkarkuar personin që drejton institucionin. Dhe prandaj ju thashë që drejtori tashmë është shkarkuar. Unë mendoj se nuk është korrekte t’i thuash publikut gjëra që më pas t’i jepen komisionit profesional dhe prokurorisë, por mendoj se tashmë ka indicie dhe se kushdo që organizon punën në spital duhet të ketë kujdes që të mos ndodhin gjëra të tilla”, tha Taravari.
Ministri i Shëndetësisë tha se në ministria përkatëse po shqyrton dy ose tre emra të mundshëm për drejtorin e Spitalit të Kumanovës nga vetë institucioni dhe ritheksoi se ai do të emërohet nesër.
“Nuk e di nëse është i informuar (drejtori). Unë po ju them se e kemi shkarkuar nga ministria”, deklaroi Taravari.
Në lidhje me statusin e mjekut i cili ka trajtuar të riun nga Kumanova, Taravari tha se ai nuk mund të jetë as prokuror, as gjykatës dhe as polic.
“Ajo që mund të bëj unë si ministër është që të shkarkoj atë që organizon institucionin shëndetësor, për derisa ka një komision profesional, pastaj t’i dorëzohet prokurorisë. Unë nuk mund të jem prokuror, gjykatës dhe polic. Mendoj se pas mbykëqyrjes nga inspeksioni sanitar në Kumanovë, duhet drejtor i ri dhe nga nesër do të emërohet drejtor i ri nga radhët e spitalit”, tha Taravari.
Në lidhje me automjetet e parkuara pa leje të cilët e sollën ministrin në afërsi sheshit të qytetit, Taravari tha se ato duhet të dënohen menjëherë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për atë se a është i informuar partneri i koalicionit nga radhët e të cilit është Trajanovski, Taravari tha: “Natyrisht, pa ndërprerë jemi në koordinim, kështu që sigurisht se aty ku ka gabime kërkojmë nga njëri-tjetri që të bëjmë ndryshime dhe i bëjmë”.
Comments are closed for this post.