Projekt-ndryshimet e Ligjit për media, me të cilat portalet e internetit duhet të njihen si media, është në fazën përfundimtare të koordinimit me Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë dhe me gjasë sot do të prezantohet në seancën e qeverisë. Për këtë informoi ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski, në debatin në emisionin “360 gradë” në RTM 1. Andonovski përkujtoi se drafti është publikuar në sistemin ENER, se ka pasur komente të ndryshme dhe se versioni aktual është një lloj vlere mesatare që ka dalë prej tyre.
“Ky ligj si ide e ka origjinën nga dy aspekte. Njëra është udhërrëfyesi për sundimin e ligjit dhe kapitulli 23, i cili përcakton se duhet të kemi qartësi dhe transparencë më të madhe në rregullimin dhe njohjen e medias në mënyrë që të garantojmë konkurrencë dhe të garantojmë cilësinë dhe profesionalizmin e medias, pranimin dhe njohjen e medias online. Aspekti i dytë është se në bisedat me Shoqatën e mediave online dhe me mediat tjera online, kanë theksuar gatishmërinë e tyre për të propozuar dhe inicuar ndryshime të tilla që do të nënkuptojnë njohjen e tyre si media, punë që e bëjnë për shumë vite dhe angazhimi i tyre si media nuk u njoh asnjëherë”, tha ministri Andonovski.
Drejtori i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (AShMAA), Zoran Trajçevski, tha se Agjencia dy herë ka bërë vërejtje që janë përfshirë në draft amendamentet.
“Versioni i punës i ligjit do të duhet të kalojë në procedurë qeveritare dhe parlamentare. Tani i drejtohemi vëzhgimeve thelbësore që bëmë. Të gjitha janë pranuar dhe supozoj se në atë formë ligji do të miratohet në Kuvend”, tha Trajçevski.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM), Dragan Sekulovski, këto draft-amendamente në masë të madhe i përmbushin pritjet e tyre. ShGM gjithashtu kishte rezerva që ligji i ardhshëm të jetë më gjithëpërfshirës.
“Besoj se ky ligj do të mbushë hapësirën që mbeti e pashfrytëzuar në vitet e kaluara. Ndryshe, kur bëhet fjalë për mediat online, sigurisht që njihen nga shteti, nga organet e drejtësisë. Nëse nuk do të njiheshin, nuk do të ishin përfitues të fondeve publike për reklama politike. Po ashtu, jo vetëm në gjykatat në Maqedoni, por edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka aktgjykime konkrete në favor të gazetarëve që kanë punuar në mediat online në vitet e kaluara”, tha Sekulovski.
Ai thotë se edhe pse Kodi Zgjedhor dhe Ligji për Prokurimet Publike i njohin mediat online, kur nuk i përgjigjet dikujt, i referohet faktit se ato nuk parashikohen në Ligjin për Media.
“Sidoqoftë, ato ishin disa teza që ishin karakteristike në të kaluarën dhe me këto ndryshime do të thosha se fryma e ligjit që tani është në fazën përfundimtare është e mirë dhe sigurisht që ka disa gjëra që ne si shoqatë synojmë t’i tregojmë se si të përmirësohen”, shtoi Sekullovski.
Kujtojmë se shumica e ankesave që vitin e kaluar kanë arritur te Komisioni për Ankesa në Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) u referohen portaleve online – për mediat online vitin e kaluar kanë arritur gjithsej 66 ankesa. Megjithatë, sfida më e madhe për gazetarët mbetet neni 1 i Kodit Etik të Gazetarëve, i cili ka të bëjë me përcjelljen e informacionit të saktë dhe të verifikuar dhe për çka është evidentuar numri më i madh i shkelje.
Comments are closed for this post.