Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian kërkon nga qeveria që ashtu si në Malin e Zi tarifat e kartonit jeshil të aplikohen edhe për Maqedoninë dhe Greqinë.
Vasil Sterjovksi, kryetar i Partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, tha se ky vendim do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për banorët e Qarkut të Korçës, të cilët kanë lidhje të ngushta me Maqedoninë dhe Greqinë për arsye familjare, ekonomike dhe kulturore.
“Ky vendim do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për banorët e Qarkut të Korçës, të cilët kanë lidhje të ngushta me Maqedoninë dhe Greqinë për arsye familjare, ekonomike dhe kulturore.
Ulja e kësaj tarife do të krijojë mundësi më të mëdha për lëvizjen e lirë, do të lehtësojë jetën e përditshme të mijëra qytetarëve dhe do të ndihmojë në thellimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) do të ndjekë nga afër këtë proces dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.
U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë me shpejtësi për të garantuar një trajtim të barabartë për qytetarët tanë që udhëtojnë drejt Maqedonisë dhe Greqisë, duke reduktuar një barrë të madhe ekonomike mbi qytetarët dhe bizneset që operojnë në rajon”, tha ai.
Vendimi i Byrosë Shqiptare të Sigurimit, hyri në fuqi më 1 shkurt 2025, dhe u mundëson qytetarëve shqiptarë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me një prim të reduktuar prej vetëm 50 euro në vit, në vend të 400 eurove që aplikoheshin më parë.
Me këtë vendim, i cili mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit.
Comments are closed for this post.