Kandidati i parë për kryeministër shqiptar, Naser Zyberi, sonte nga Kumanova deklaroi se angazhohet për reforma thelbësore në më shumë fusha, nga aspekti politik, ekonomik, social prej të cilave përfitim do të kenë të gjithë qytetarët në shtet.

“Reforma të vërteta që t’i tejkalojmë problemet. Reformat nuk do të jenë vetëm në letër, por do të thotë jetë më të mirë për të gjithë”, tha Zyberi në deklaratën për mediat pas përfundimit të tubimit të BDI-së në sheshin e qytetit në Kumanovë.

“Shumë domethënës, sipas Zyberit është zgjidhja e problemeve rreth sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

“Duhet ta kthejmë besimin e qytetarëve lidhur me sundimin e së drejtës, se ligji vlen në mënyrë të barabartë për të gjithë, ndërsa këtë do të mund me një instrument i cili zbatohet dhe jep rezultate. Ne nuk do të zbulojmë asgjë të re, veting dhe veting, në organet gjyqësore, veting për bartësit e funksioneve publike, veting te të gjithë ata qnë në emër të qytetarëve kryejnë profesione publike”, deklaroi kandidati.

Ai paralajmëroi se është kyçe edhe përballja ekonomike e pasojave nga pandemia. Në 100 ditët e para, paralajmëroi set të masave për tejkalimin e pasojave, me të cilat do të lehtësohet jeta e qytetarëve dhe me të cilat do të nxiten kompanitë ta kapërcejnë periudhën e vështirë.

“Do të ofroj set masash edhe në planin social. Thellësisht jam i bindur se këto programe të cilat i ofroj janë me interes për të gjithë qytetarët sepse ata para së gjithash sigurojnë siguri, zhvillim ekonomik, perspektivë euroatlantike. Për këtë shkak, e kërkoj mbështetjen nga të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, politike apo çfarëdo përkatëse tjetër”, potencoi Zyberi.

Bartësi i listës nga NJZ 3, Arbër Ademi, tha se BDI-ja gjithmonë ka investuar në rajonin e Likovës të Kumanovës dhe do të vazhdojë të investojë. Ai shtoi se është investuar jashtëzakonisht shumë në infrastrukturën arsimore, se janë ndërtuar gjashtë salla sportive dhe është investuar në shumë shkolla fillore dhe të mesme.

“Prioritet do të ketë dislokimi edhe objekt të ri për gjimnazin “Sami Frashëri”, deklaroi Ademi.

Në mitingun në Kumanovë fjalim pati edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti.