Kryeministri Zoran Zaev gjatë konferencës së sotme për shtyp ka komentuar edhe dërgimin e Ligjit për gjuhët në Komisionin e Venecias. Zaev thekson se çdo rekomandim nga Komisioni i Venecias do të inkorporohet në Ligjin aktual për gjuhët.

“Prej para një viti i pranuam sugjerimet që të evitojmë çdo gabim. Çdo rekomandim nga Komisioni i Venecias do të inkorporohen në Ligj. Kjo është një e drejtë që ishte e penguar“- pohoi Zaev.

Kreu i qeverisë gjithashtu theksoi se nuk ka nevoë për përçarje dhe se kjo është e drejtë themelore e qytetarëve.

“Të mos mendojnë qytetarët se është fundi i botës, është e drejtë e një pjese të qytetarëve e garantuar me kushtetutë“- theksoi Zoran Zaev, kryeministër.

Ndryshe, sot qeveria ka dërguar në Komisionin e Venecias përmbajtjen e plotë të Ligjit për gjuhët bashkë me tekstin alternativ të nenit 8 dhe tri dispozitat e tij që kanë të bëjnë me shqipen në bankënota, letrat me vlerë dhe uniformat e ushtrisë dhe policisë. Në letër thuhet që Qeveria pret vlerësim për aspektet e pajtimit të ligjit me standardet evropiane dhe principet e sundimit të ligjit.