Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se beson që bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës “po ecin shumë mirë”, teksa ka pritur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë për herën e tretë këtë vit.
Trumpi ka shprehur gjithashtu besimin se grupi militant palestinez Hamas është i gatshëm ta përfundonte konfliktin 21-mujor.
“Ata duan të takohen dhe duan të arrijnë atë armëpushim”, iu është përgjigjur ai pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi mes dy liderëve është zhvilluar pas rundeve të fundit të bisedimeve indirekte për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Katar, të cilat përfunduan pa ndonjë përparim, megjithëse pritet që negociatat të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave.
Të dy liderët u pyetën për planet e mundshme për zhvendosjen e palestinezëve, përderisa Trumpi ka bërë të ditur se ka bashkëpunim nga shtetet fqinje të Izraelit në këtë drejtim.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se po punon me SHBA-në për të gjetur vende që do t’u ofrojnë palestinezëve “një të ardhme më të mirë”.
“Nëse njerëzit duan të qëndrojnë, mund të qëndrojnë, por nëse duan të largohen, duhet të kenë mundësinë të largohen”, është shprehur Netanyahu.
Autoriteti palestinez në Bregun Perëndimor e ka kundërshtuar çdo plan për zhvendosjen e palestinezëve, tek ka theksuar se një gjë e tillë do të ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare.
Netanyahu gjithashtu e ka minimizuar mundësinë për shtetësi të plotë palestineze, duke deklaruar se Izraeli “do të mbajë gjithmonë kontrollin e sigurisë mbi Rripin e Gazës”.
“Tani, disa do të thonë se kjo nuk është një shtetësi e plotë, se nuk është një shtet. Ne nuk shqetësohemi për këtë”, ka vazhduar ai.
Gjatë takimit, kryeministri izraelit ka bërë të ditur po ashtu se e ka nominuar Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen – synim ky i njohur prej kohësh i presidentit amerikan.
“Ai po ndërton paqen teksa ne po flasim, nga një vend, nga njëri rajon në tjetrin”, ka thënë Netanyahu, teksa i dorëzoi Trumpit një letër që e kishte dërguar paraprakisht në komitetin për çmimin Nobel për Paqe.
Comments are closed for this post.