Tetova, qyteti që aktualisht ka dy myftinj. Të dy vlerësojnë se janë në të drejtë. Të dy konsiderojnë se e kanë përkrahjen e shumicës së besimtarëve. Qani Nesimi dhe Selver Xhemaili.

Të dy e akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të statutit, keqpërdorime, por edhe për përkrahje politike. Ai që ende qëndron në zyrat e Myftinisë së Tetovës është Qani Nesimi. Shokun e dikurshëm Selver Xhemailin e akuzon për tradhti dhe si të zgjedhur nga BFI-ja pa përkrahjen e myftinisë.

E nga ana tjetër, Xhemaili thotë se Nesimi është i shkarkuar, por me dhunë mban zyrat dhe e fut në borxh myftininë.

“Jemi të tradhtuar nga reis ulemaja hafëz Shaqir Fetahu, jemi të tradhtuar nga hafëz Selever Xhemaili që është një myfti i dhunshëm në Tetovë. Ende BFI-ja nuk ka arritur të kthehet në kushtetutshmërinë e saj për arsye se ka bërë një shkarkim antiligjor që e bën Rijaseti që s’ka të drejtë dhe që është bërë pa argumente që kanë peshë pa një komision disiplinor dhe më pas ka angazhuar një ushtrues detyre që është antikushtetues”, tha Qani Nesimi – myfti.

“Gjendja është kjo, vazhdon një profesor i UT-së të qëndrojë në zyrat e Myftinisë së Tetovës, duke bërë pengesa të mëdha, duke e futur myftininë në borxhe të mëdha, duke shkaktuar pakënaqësi në mesin e imamëve, kryesive të xhamive dhe xhelatit”, u shpreh Selver Xhemaili – myfti.

Sikur të mos mjaftojnë rivalitetet që kanë nga brenda Bashkësisë Fetare Islame, akuza bëhen edhe për përfshirjen e politikës në këtë çështje, duke e sjellë kontestin deri në këtë pikë!

“Kjo tradhti nuk ka ndodhur pastër me vendim të Rijasetit, por kjo që e kemi thënë shumë herë ka qenë me mbështetje të njerëzve të fuqishëm të politikës dhe unë kërkoj nga të gjithë ata që mbajnë përgjegjës politike dhe lokale të tregojnë gatishmëri për të shëruar këtë plagë dhe për ta shpëtuar myftininë nga tradhtia tinëzake”, deklaroi myftiu Qani Nesimi.

“Është e vërtet që figura të ndryshme politike janë munduar të përzihen në këtë çështje dhe me merr forcën dhe është një fakt i vërtetë se ish-struktura të policisë së Tetovës vitin e kaluar kanë qenë mbështetës për të qëndruar aty”, potencoi myftiu Selver Xhemaili.

Po cila është zgjidhja?

Të dy propozojnë zgjidhje, kuptohet, në favor të vetin.

“Nëse ata tërhiqen me deklarata me shkrim se nuk janë në këtë proces dhe tërhiqet Selever Xhemaili se ka tradhtuar Tetovën dhe tërheq vendimet antiligjore Shaqir Fetahu me shkrim dhe këtë punë ja lënë organit vendimmarrës xhelatit hoxhallarëve unë nuk jam njeri që futem në këtë proces”, shtoi Qani Nesimi – myfti.

“Kompromisi është shumë i thjeshtë, secili shkon në punën e vetë ,profesori shkon në universitetin e Tetovës unë krye detyrën që jam emëruar ky është kompromisi”, potencoi Selver Xhemaili – myfti.

Derisa Nesimi e Xhemaili të gjejnë një zgjidhje se kush është myfti, besimtarët në Tetovë do të mbeten të përçarë, madje deri në atë pikë sa edhe xhamitë janë të ndarë me atë se cilin myfti e përkrahin. Me sa duket kështu do t’i gjejë edhe muaji i Ramazanit, i cili është tre javë larg. /TV21/