Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë, kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.
Toshkovski nga Komuna e Tetovës theksoi se angazhimi i shtuar i policisë përmes kontrolleve të intensifikuara aksionare në dy muajt e fundit ka rezultuar në uljen e numrit të aksidenteve në komunikacion me lëndime të rënda trupore për rreth 50%.
“Me realizimin e projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë përfshin edhe Tetovën, realisht do të mund të presim shifra shumë më të ulëta si nga aksidentet në komunikacion ashtu edhe nga aksidentet më të rënda në komunikacion me lëndime të rënda trupore, dëme materiale dhe viktima”, nënvizoi ministri Toshkovski.
Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se vizita e ministrit ishte edhe në kuadër të projektit të MPB-së “Qyteti i sigurt”.
“Nga sot ne besojmë që në kuadër të ndryshimeve ligjore dhe projektit të MPB-së në bashkëpunim me pushtetin lokal do të arrijmë që dalë ngadalë t’i zgjidhim këto probleme”, tha Kasami.
Ministri paralajmëroi intensifikimin e aksioneve të kontrollit të komunikacionit në Tetovë për periudhën e ardhshme.
“Nga java e ardhshme, policia, në koordinim me “shërbimin merimangë” të Tetovës dhe komunën, do të fillojë një aksion që duhet të rezultojë me rezultate pozitive për të gjithë qytetarët e Tetovës”, tha Toshkovski.
Ndryshe, sot Prokuroria Themelore Publike (PPO) Shkup ka nxjerrë udhëzime specifike për veprime më efikase në situatat kur rrezikohet siguria në komunikacion dhe ka bazë për ndjekje penale të kryesve.
Comments are closed for this post.