Polonia, Moldavia, Sllovakia dhe Gjermania po përgatiten të presin refugjatët ukrainas të cilët braktisin vendin e tyre, shkruan Alsat.

Në Poloni tani më kanë arritur refugjatët e parë. Gjermania ka nisur përgatitjet për mobilizim të mallrave dhe lokacioneve për pritje të refugjatëve.

Meqenëse fluturimet janë paralizuar, banorët e Ukrainës ikin kush si mundet, me tren, me autobusë dhe makina. Thonë se nuk zgjedhin ku shkojnë, mjafton të jetë sa më larg vatrës së luftës.

“Ndodhi. Nuk duhej të ndodhte, Akoma nuk mund ta besoj se çfarë është duke u bërë”, u shpreh një refugjat nga Ukraina.

Ka prej atyre që kthehen në vendlindje për ta mbrojtur atdheun. I tillë është rasti i veteranit ukrainas i cili kthehet nga Polonia.

“Për mendimin tim, kjo është një luftë midis Rusisë dhe botës demokratike. Ne po llogarisim në NATO, Poloni dhe SHBA”, tha

Vendet e Evropës Qendrore gjithashtu ranë dakord të hapin më shumë pika kufitare nëse është e nevojshme për pritjen e refugjatëve ukrainas, duke angazhuar emergjencat civile nëpër kampe. Ndërkohë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë alarmojnë se kjo luftë do të shkaktoj katastrofë humanitare. Nga 41,6 milion shtetas ukrainas ende nuk është e qartë se sa do të ketë refugjatë jashtë shtetit, por pritjet fillestare janë se do të ketë ikje të mbi 10% të popullsisë./Alsat.mk