Disa shkencëtarë britanikë dhe amerikanë do të bëhen bashkë që t’i hulumtojnë shenjat e para të kancerit në përpjekje për ta zbuluar dhe trajtuar sëmundjen e rrezikshme edhe para se të shfaqet në organizëm.

Ata po planifikojnë që ta krijojnë një kancer në laborator për të parë saktësisht si duket ky proces që në ditën e parë. Ky qëllim është vënë nga Aleanca Ndërkombëtare për Zbulimin e Hershëm të Kancerit.

Sipas kësaj shoqate, puna e përbashkët për zbulimin e hershëm të kancerit nënkupton që pacientët do të përfitojnë më shpejt nga trajtimi mjekësor.

Në këtë hulumtim janë bërë bashkë shkencëtarët e Universitetit të Cambridge-it, Mançesterit dhe Londrës në Britani të Madhe dhe shkencëtarët e Universitetit të Stanford-it dhe Universitetit të Oregon-it në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, ata pranojnë se ky qëllim është sikur të kërkosh një gjilpërë në kashtë. “Problemi kryesor është që nuk kemi mundësi ta shohim lindjen e kancerit në trupin e njeriut. Në kohën kur zbulohet, ai tashmë është krijuar”, tha Dr.David Crosby, mjek britanik që merret me studimin e kancerit.

Hulumtuesit nga Mançesteri, për shembull, po e krijojnë indin e gjoksit në laborator me qeliza imune sintetike për të parë nëse mund ta përcjellin fazën e parë të ndryshimeve, të cilat mund ta shkaktojnë kancerin, shkruan “BBC”.