Ndryshimi i qëndrimit të administratës Trump në raport me Ukrainën u reflektua të hënën në New York gjatë takimit të Kombeve të Bashkuara, me SHBA-në dhe Rusinë që harmonizuan votat e tyre kundrejt rezolutave respektive,raporton BBC.

Së pari, të dy vendet votuan kundër rezolutës së hartuar nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe, e cila dënonte agresionin rus dhe mbështeste integritetin territorial të Ukrainës, në përvjetorin e tretë të luftës.

Rezoluta në fjalë u miratua me 93 vota pro, 18 kundër dhe 65 abstenime në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Më pastaj, të dy vendet votuan në favor të rezolutës që u hartua nga SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit, që bënte thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë por nuk theksonte askund se Rusia ishte agresore.

Rezoluta e sponsorizuar nga SHBA-ja u miratua me 10 vota pro, ndërsa vendet si Britania e Madhe, Franca, Danimarka, Greqia dhe Sllovenia abstenuan pas përpjekjeve të pasuksesshme për të ndryshuar formulimin e rezolutës.