Kryetari i Aleancsë për Shqiptarët, Ziadin Sela në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se grupi parlamentar i ASh-së në Kuvend do të dorëzojë propozim-ligj për ndryshimin e Ligjit për Lojërat e Fatit. Ai tha se propozimi-ndryshimi parashikon që të gjitha lojërat e fatit të zhvendosen në hotele me pesë yje.

“Lojërat e fatit, kazino, bastore, të gjitha që janë lojëra të fatit, të vendosen vetëm në hotele me pesë yje. Sipas standardeve të cilat duhet t’i plotësojnë hotelet me pesë yje. Parashikojmë me ligjin që këto ndryshime të hyjnë në fuqi pas një viti që tu jepet kohë edhe punonjësve që t’i spostojnë këto kazino dhe lojëra fati në hotele me pesë yje”, tha mes tjerash Sela, duke shtuar se në propozim ligj parashihet se të ardhurat të mblidhen në fond të posaçëm që do të kontribuonte për zhvillimin e sportit.

Në konferencën e sotme për shtyp Ziadin Sela njëkohësisht edhe denoncoi sekretarin gjeneral të partisë së tij Arben Taravari i cili sipas fotove të cilat po qarkullojnë në rrjetet sociale është vizitor i shpeshtë i Kazinove qofshin ato në hotele me 5 yje apo në më pak yje, Taravari me shoqëri nuk iu ndahet në asnjë moment Kazinove dhe lojërave të fatit, ndërkohë që gjithashtu shfrytëzon edhe shërbime tjera në këto hotele sipas asaj që mund të shohim në foto.

Me këtë, Sela fillimisht obligohet që të disciplinojë bashkëpartiakët e tij e më pas përmes grupit parlamentar të propozojë ndryshim të ligjit.