Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se Federata Ruse ka shpallur “non-grata” një diplomat të RMV-së në Ambasadën e Moskës.

Nga MPJ shprehin keqardhje për këtë siç e quajnë, veprim të pabazuar nga pala ruse.

“MPJ informon se sot e punësuara në Ambasadën e RMV-së në Moskë, Olivera Çaushevska-Dimovska, është ftuar për takim në MPJ-në e Rusisë, me çka i është dhënë notë për shpalljen “non-grata” të një diplomati të RMV-së në Ambasadën në Moskë. MPJ shpreh keqardhje për këtë veprim të pabazuar nga pala ruse, që paraqet vendim politik të bazuar vetëm në parimin e hakmarrjes politike, i cili negativisht do të ndikojë në intensitetin e marrëdhënieve dypalëshe në mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Ndryshe, para disa ditëve Maqedonia e Veriut e shpalli “non-grata” një diplomat të Rusisë, ndërsa sot si kundërpërgjigje Rusia gjithashtu shpalli “non-grata” një diplomat të Maqedonisë së Veriut.