Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot u takua me Monika Sandri, përfaqësuese e UNHCR-së në Maqedoninë e Veriut, ku kanë theksuar bashkëpunimin e suksesshëm dhe realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë dhe refugjatët në tranzit në mbarë vendin.

Ministri Shaqiri e informoi Sandrin për zbatimin e reformave në arsimin fillor dhe të mesëm profesional deri më tani, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ndjek trendet botërore në fushën e arsimit.

“Maqedonia e Veriut, si një vend që aspiron të jetë pjesë e familjes së madhe të kombeve evropiane, është gjithmonë e gatshme të ndihmojë refugjatët nga rajonet e krizës në botë, duke ofruar mikpritjen dhe mbrojtjen e tyre, si dhe të ndihmojë në procesin arsimor, nëse i kërkohet. “Arsimi nuk ka kufi, çdo fëmijë duhet të ndjekë mësimin edhe nëse kushtet për këtë janë minimale”, tha ministri.

Sandri e falënderoi ministrin Shaqiri për insistimin e tij personal që sistemi arsimor të përfshijë çdo fëmijë dhe përshëndeti miratimin e Ligjit të ri për Arsimin Fillor dhe Konceptit për Arsim Gjithëpërfshirës, i cili përfshin dispozita për fëmijët refugjatë, azilkërkuesit dhe fëmijët pa shtetësi.

Ajo shtoi se UNHCR-ja është e gatshme të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës me qëllimin përfundimtar që të gjithë fëmijët refugjatë, azilkërkuesit dhe fëmijët pa shtetësi të marrin arsim formal cilësor shtetëror në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin shtetëror.