Ndonëse paralajmëruan që mesi i muajit dhjetor do t’i sjell emrat e VMRO-DPMNE-së për Qeverinë teknike, partia e Hristijan Mickoskit mësohet se deri tani këtë çështje nuk e ka hapur zyrtarisht brenda organeve. Burime nga partia më e madhe opozitare bëjnë me dije se ka kandidatë potencial, emrat e të cilëve nuk duan t’i shpalosin, por thonë se javën që vjen do të diskutohet drejtpërdrejtë për gatishmëritë e tyre në bartjen e funksioneve gjatë Qeverisë teknike.
Çështja e Qeverisë teknike nuk është hapur as në organet e LSDM-së. Kryeministri Zoran Zaev ditë më parë deklaroi se në mesin e kandidatëve të përfolur për kryeministër teknik janë ministri i Brendshëm, Oliver Spasovsi dhe ministrja e Punës dhe politikës sociale, Milla Carovska. Në dy resorët, partia më e madhe në pushtet propozon zëvendësministra plotësues. Ndërsa në Financa, Shoqëri Informatike dhe Bujqësi, zëvendësministra plotësues propozon partia më e madhe opozitare.
Në përputhje me Ligjin për Qeveri, më 3 janar, bashkë me kryeministrin Zaev nga pozita duhet të largohen edhe Spasovski dhe Carovska. Largimin e tij e ka paralajmëruar edhe zv.kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Më 3 janar Qeveria merr karakterin teknik për gati 100 ditë, apo deri më 12 prill kur edhe janë paraparë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Referuar afateve, më 11 shkurt duhet të shpërndahet Kuvendi. Lidhur me akuzat e opozitës se pushteti po tenton shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme, kryeministri Zaev ditë më parë edhe një herë ka konfirmuar se nuk ka arsye që 12 prilli të zhvendoset si datë për zgjedhje.
Comments are closed for this post.