Policia gjermane ka arrestuar një 15-vjeçar që dyshohet se ka lidhje me sulmin me thikë, ku u vranë tre persona, e u plagosën 8 të tjerë, raporton BBC. Adoleshenti dyshohet se kishte dijeni paraprakisht për sulmin dhe nuk e kishte denoncuar atë në polici.

Policia ka shtuar se identiteti i sulmuesit mbetet i paqartë dhe se hetimet janë në vazhdim. Motivi i sulmit nuk dihet, por policia nuk ka përjashtuar mundësinë e një motivi terrorist. Sulmi ndodhi më 23.08.2024 pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një festival, në qendër të qytetit Solingen.

Viktimat, sipas policisë janë dy burra, 56 dhe 67-vjeçar dhe një grua 56-vjeçare. Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Nancy Faeser tha se janë thellësisht të tronditur nga ky sulm.

“Autoritetet tona të sigurisë janë duke bërë gjithçka për ta kapur dorasin” – shtoi ajo.

Gjermania është e shqetësuar nga një rritje e sulmeve të dhunshme me thikë në vend dhe Faeser së fundmi propozoi ashpërsimin e ligjeve për armët. Ajo propozoi që të lejohet bartja në publik e thikave me teh deri në 6 centimetra të gjatë, në vend të thikave me teh 12 centimetra të gjatë që lejohet momentalisht.