Dje u raportua se ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, do të dorëzojë kërkesë për faljen e 48 personave, të dënuar me burg për vepra të ndryshme.

Alsat publikoi listën e personave, për të cilët ministri Mariçiq, e kishte ndërmend të kërkojë të falen pjesërisht ose plotësisht.

Në listë ishin 48 të dënuar, për të cilët për 45 prej tyre kërkohet falje e pjesshme, ndërsa për tre falje e plotë. Në listë përveç Sead Koçan dhe Boban Iliq, është edhe Aleksander Vasilevski i dënuar për terrorizëm mbi ngjarjet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.

Por, për shkak të presionit në opinionin publik, jozyrtarisht mësohet se Mariçiq sot do ta tërheq kërkesën e tij.

Burime brenda Komisionit për falje, për Alsat bëjnë të ditur se materiali në të cilin mes tjerëve kërkohet edhe falja e Sead Koçan, Aleksander Vasilevski (Ninxha) dhe Boban Iliq do të tërhiqet për shkak të presionit nga opinioni publik.