Parlamenti Evropian miratoi të martën rregulla të reja për të mbrojtur punonjësit e Bashkimit Evropian nga rreziqet shëndetësore të lidhura me asbestin, dhe për të përmirësuar zbulimin e hershëm të materialit kancerogjen.

Direktiva synon të ulë kufirin e ekspozimit në punë (OEL) me një faktor 10, me uljen e kufirit të poshtëm nga 0,1 në 0,01 fibra asbesti për centimetër kub.

Në një seancë plenare, parlamenti miratoi masën me 614 vota pro, dy kundër dhe katër abstenime.

Shtetet anëtare do ta miratojnë atë zyrtarisht brenda tre javësh.

Dokumenti parlamentar përshkruan asbestin si një kancerogjen jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe si shkaktarin kryesor të kancerit të lidhur me punën.

Ai thekson se ndërsa të gjitha format e azbestit ishin të ndaluara në BE që nga viti 2005, azbesti mbeti në miliona ndërtesa dhe infrastruktura dhe vriste më shumë se 70 000 njerëz në vit, vetëm në Evropë.

Pas miratimit zyrtarisht të direktivës, shtetet anëtare kanë dy vjet për ta prezantuar atë në vendet e tyre.

Pas një periudhe tranzicioni prej gjashtë vjetësh, shtetet anëtare do të duhet të kalojnë në teknologji më moderne dhe më të ndjeshme për të zbuluar fibrat e asbestit, përkatësisht mikroskopin elektronik.