Pas votimit të Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe pritjes që e njëjta të marrë dritë jeshile edhe në Parlamentin grek, në Maqedoni fokusi i zhvillimeve po kalon ngadalë në zgjedhjet presidenciale të cilat, me siguri, siç paralajmëroi kryeparlamentari Talat Xhaferi, do të shpallen më 8 shkurt.
Sipas Xhaferit, 8 shkurti është afati i fundit i shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, të cilat me siguri do të mbahen më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj.
Nëse në raundin e parë të votimit asnjëri kandidat nuk merr shumicën e nevojshme të votave nga numri i përgjithshëm i zgjedhësve të regjistruar në Listën e Zgjedhore, organizohet raundi i dytë i votimit në të cilin marrin pjesë dy kandidatët me numër më të madh të votave të fituara.
I zgjedhur në raundin e dytë konsiderohet kandidati që ka marrë shumicën e votave nga votuesit të cilët kanë votuar, me kusht që në votim të kenë marrë pjesë së paku 40 për qind e zgjedhësve të regjistruar, gjegjësisht rreth 720.000 votues. Ky është censusi i nevojshëm.
Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën e nevojshme të votave as në raundin e dytë të votimit, përsëritet e tërë procedura e zgjedhjeve.
Kjo do të thotë se kryetari i Kuvendit të RM-së në kompetencën e të cilit është shpallja e zgjedhjeve, duhet të fillojë procedurën me marrjen e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve për President të RM-së.
Mandati i Presidentit Gjorge Ivanov skadon më 12 maj. Ende nuk dihet se kush do të kandidohet për president?
Deri tani asnjë parti politike nuk ka dalë me kandidatin e saj për president të Republikës, ndonëse pas paraqitjeve të shpeshta në opinion dhe nëpër media të disa politikanëve të caktuar shihet se tregojnë interes që të përfshihen në garën për “babanë e shtetit”.
Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se rreth dhjetëra emra të LSDM-së janë në lojën për kandidat për zgjedhjet presidenciale.
”Mendoj se janë duke u shqyrtuar më shumë se dhjetëra emra – maqedonas, shqiptar, turq, serbë, jemi duke shqyrtuar më shumë emra, që të shohim se si mendojnë qytetarët… Zgjidhja më e pranueshme, në fakt do të thoshte zgjidhja maksimalisht e pranueshme konsensuale. Konsensual, në Maqedoni do të thotë, të gjithë të qëndrojmë prapa tij”, shprehet Zaevi.
Paralajmëroi se LSDM-ja do ta diskutojë dhe mbyllë këtë çështje në organet dhe trupat e saj më të lartë, e më pas opinioni do të jetë i njoftuar me vendimin e tyre.
Ai shprehet se do të mundësojnë përzgjedhjen e personalitetit për president të shtetit që ka interesa identik strategjik me shumicën e qytetarëve të vendit tonë. President ose Presidente që, me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, në mënyrë dinamike dhe të përkushtuar do të ofrojë zgjidhje dhe do të punojë në integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. President-e, siç bën të ditur Zaevi, që është kundërshtar i ndarjeve dhe urrejtjes dhe që do ta promovojë Maqedoninë si vend i drejtë, pjesë e botës globale.
Në linjë të njëjtë me kryeministrin Zaev për kandidat konsensual për president është edhe partneri qeveritar – BDI.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski paralajmëroi se nuk do t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale, por përkundrazi do të marrin pjesë dhe do të fitojnë të njëjtat.
VMRO-DPMNE-ja publikoi një shpallje publike për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjen e Presidentit të shtetit, që do të jetë e hapur deri më 31 janar. Kandidatin presidencial do ta zgjedhin 550 delegatë në Konventën e VMRO-DPMNE-së me votim të fshehtë. I zgjedhur do të konsiderohet kandidati që ka marrë më së shumti vota nga të gjithë delegatët, por jo më pak se 1/3 e numrit të përgjithshëm të delegatëve.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Vllatko Gjorçev dje publikoi i pari se kandidohet në shpalljen e partisë së tij amë për zgjedhjen e kandidatit të tyre për President të shtetit.
“E publikoj dhe them se kandidohem për president. Kam përvojë, motivim, dijeni, ndershmëri dhe besnikëri. E njoh gjithë Maqedoninë dhe do të shkoj në çdo qytet, çdo shtëpi, te qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe do ta kërkoj besimin tuaj meqë shpresoj dhe mendoj se e kam merituar”, tha Gjorçevi në konferencën për media në Kuvend.
Deri tani si kandidatë të mundshëm të LSDM-së në opinion përmenden emrat e Stevo Pendarovskit, Radmilla Shekerinskës, Oliver Spasovskit, Denko Malevskit. Si kandidatë të mundshëm të VMRO-DPMNE-së, krahas Vllatko Gjorçevit, përmenden edhe Antonio Milloshoski, Trajko Sllaveski, Gordana Siljanoska, Zoran Stavreski, ndërsa nga tabori politik shqiptar përmendet emri i ish-kandidatit Imer Selmani.
KSHZ-ja e gatshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të gjashta presidenciale
Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për MIA-n konfirmuan se si organ më i lartë i zgjedhjeve janë tërësisht të gatshëm për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të radhës për President të Republikës së Maqedonisë.
– Periudhën prej tetorit e deri tani e shfrytëzuam për vlerësimin e punës sonë gjatë referendumit të mbajtur në nivel shtetëror dhe duke iu referuar të dhënave tashmë janë zbatuar edhe disa veprime të caktuara përgatitore për zgjedhjet e radhës. Besojmë se ato do të sjellin edhe avancim të punës së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deklaroi për MIA-n zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska.
Në zgjedhjet e gjashta presidenciale do të votohet sipas mënyrës së vjetër, me llambë ultravjollcë dhe spërkatës, si parandalim nga keqpërdorimet e mundshme.
Sipas vlerësimeve të para nga KSHZ-ja, për zgjedhjet presidenciale do të shpenzohen rreth pesë milionë euro. Më së shumti, rreth tre milionë euro, do të dedikohen për kompensimet për këshillat e zgjedhjeve, ndërsa pjesa tjetër për transportin dhe materialin e zgjedhjeve.
Kodi zgjedhor parashikon që shtetasit e Republikës së Maqedonisë me punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, gjegjësisht diaspora siç është më e popullarizuar të quhet, të votojnë në zgjedhjet për President të Republikës së Maqedonisë.
“Votimi realizohet në përfaqësitë diplomatike konsullore dhe zyrat konsullore të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit një ditë para ditës së përcaktuar për zgjedhje. Që të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të zgjedhjes në shtetet e huaja, shtetasit tonë do të duhet të parashtrojnë fletëparaqitje për votim jashtë vendit. Gjithsesi, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do ta shpallë me kohë thirrjen publike me të gjitha detajet rreth procedurës së paraqitjes”, shprehet Guguçevska.
Fushata zgjedhore e kandidatëve për President të Republikës së Maqedonisë fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, ndërsa edhe në raundin e parë të votimit edhe në të dytin nuk guxon të zgjasë 24 orë para ditës së zgjedhjeve dhe në vetë ditën e zgjedhjeve.
Paralelisht me zgjedhjet presidenciale, në prill të këtij viti, në komunat Dibër, Ohër dhe Novo Sellë, të cilat i drejtojnë u.d. kryetarë të komunave, do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme lokale, ndonëse ditëve të fundit u aktualizua edhe mundësia për organizimin edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kjo është, para së gjithash, kërkesë e opozitës, veçanërisht pas miratimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin e Maqedonisë dhe ndryshimet e realizuara kushtetuese, ndërsa kjo iniciativë deri tani nuk gëzon mbështetjen e shumicës në pushtet. (Daniela Markoska Aleksovska/MIA)
Comments are closed for this post.