Për një të katërtën është ulur numri i parave që mërgimtarët i kanë dërguar në Maqedoni, pasi edhe ata gjatë kësaj periudhe nuk kanë punuar, ndërsa për shkak të mbylljes së kufijve këtë herë ata më shumë para kanë dërguar nëpërmjet bankave, se sa në duar, sikur ka qenë më herët.
Nga Banka Popullore e Maqedonisë thonë se në periudhën para krizës, remitencat e mërgimtarëve kanë lëvizur rreth 15 përqind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV), që është rreth 1.5 miliardë euro, por vitin e kaluar janë ulur për një të katërtën.
“Arritjet janë afër parashikimeve – transferimet totale u ulën me rreth 24 përqind, ku rënie të dukshme ka në dërgesën e parave në duar. Por remitancat e dërguara përmes bankave dhe transfertat e shpejta të parave u rritën ndjeshëm për 47 përqind. Ky është një tregues i qartë se mërgimtarët dhe punëtorët e përkohshëm jashtë vendit të cilët dërgojnë fonde në vendin tonë kanë përshtatur sjelljet e tyre me rrethanat e reja dhe po përdorin gjithnjë e më shumë kanale dixhitale”, thonë nga Banka Popullore.
Ata presin që remitencat këtë vit të rriten për 20 përqind, por duke pasur parasysh se kriza vazhdon edhe këtë vit, kthimi në nivelin sikur para krizës, pritet në vitin 2022.
Akademikur Abdylmenaf Bexheti, i cili është rektor i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, për REL thotë se mërgimtarët edhe pse nuk kanë ardhur, për shkak të nevojave të familjarëve të tyre këtu në vend, nuk kanë ndaluar duke dërguar para.
“Unë personalisht pres që viti 2021 të jetë edhe më i fortë. Në planin afatshkurtër kjo është ndoshta e mirë, por në planin afatgjatë duhet parë, sepse implikimet e fuqisë financiare të punëtorëve të përkohshëm jashtë vendit, veçanërisht në Evropën Perëndimore, do të jetë nga këndvështrimi që ata vetë fitojnë paga më të ulëta atje. Dhe derisa ata kanë frikë sepse disa prej tyre janë pushuar nga puna edhe atje, disa prej tyre janë reduktuar, kështu që fuqia e tyre e kursimit do të jetë më e ulët atje”, tha akademik Bexheti.
Ai shtoi se mërgimtarët dëshirojnë të shohin që shteti dhe ekonomia e tregut funksionojnë, por në realitet sipas tij, kjo nuk është ashtu.
Ndryshe, sipas Bankës Popullore remitencat nga mërgimtarët janë shumë të rëndësishme, pasi paraqesin pjesë të rëndësishme të të ardhurave të popullatës dhe ndihmë të madhe për konsumatorët dhe bilancin e pagesës.
Comments are closed for this post.