Në 12 rajone italiane sot filloi viti i ri shkollor, pas pauzës gjashtëmujore për shkak të pandemisë me Kovid-19, ndërsa në disa rajone është shtyrë fillimi i mësimit.

Kthimi në shkolla është test i madh për Italinë dhe rregullat anti kovid të vendit të cilat u përgatitën gjatë verës.

Shumica e nxënësve në Itali kthehen në shkolla të hënën e dytë të shtatorit, po në disa rajone italiane mësimi do të fillojë më 16, 22 apo 24 shtator.

Maska mbrojtëse për fëmijë mbi gjashtë vjeç janë të detyrueshme, ndërsa maskat për fëmijë dhe të punësuarit në shkolla duhet t’i sigurojnë shkollat, por rekomandohet që nxënësit çdoherë të mbajnë maskë rezervë, sipas mundësisë kirurgjikale, edhe pse është e lejuar edhe e pëlhurës.

Në shkolla nuk do të matet temperatura e nxënësve, por për atë janë të obliguar prindërit në shtëpi, ndërkaq këtij vendimi iu kundërvunë rajonet Piemont dhe Kampania, ku autoritetet rajonale kërkojn[ë që shkollat ta kontrollojnë temperaturën e nxënësve.

Sipas kryeministrit italian, Xhyzepe Konte, Qeveria e Italisë “ka punuar intensivisht dhe e ka dhënë maksimumin e vet” me qëllim që të sigurohen kushtet më të mira për fillimin e vitit shkollor.

Kthimi i fëmijëve në shkolla gjatë pandemisë është hap i rëndësishëm për Italinë, vendin e parë evropian që vendosi masa të rrepta për karantinë në tërë territorin në fillim të marsit për shkak të Kovid-19, dhe pas rreth tre muajve, gradualisht e hoqi bllokadën.