Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot do të vazhdojë gjykimi për vrasjen e dyfishtë të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit. Në seancën e kaluar u dëgjua dëshmitari Goce Trajkovski, i cili së bashku me babain e Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, ndihmuan në kërkimin e saj, duke siguruar edhe video.

Trajkovski ishte dëshmitari i fundit me kërkesë të Prokurorisë. Ai është dashur të dëshmojë në fillim të procedurës, kur janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë, por për arsye shëndetësore kjo nuk ka ndodhur dhe më pas nuk ka qenë në dispozicion të organeve të rendit për shkak të një krimi tjetër. Më 23 janar 2025, ai u dorëzua në polici dhe që atëherë ndodhet në paraburgim.

Paraprakisht Prokuroria ka paraqitur video-materiale që tregojnë lëvizjen e mjeteve me të cilat u rrëmbye Vanja.

Në këtë rast janë akuzuar Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, të cilët janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, ata bashkërisht kishin planifikuar rrëmbimin e vajzës 14-vjeçare në mënyrë që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të siguronte para për shpërblim. Ndërkaq, rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij Citroen në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

E mitura Vanja dhe banori i Velesit Pançe, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor 2023.