Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski sot në Forin ofis në Londër në kuadër të një vizite pune disaditore në Mbretërinë e Bashkuar, ka realizuar takim me nikoqirin e tij – sekretarin e shtetit për Punë të Jashtme, zhvillim dhe Komonveltin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës Veriore, Dejvid Lami.
“Në kuadër të këtij takimi me rëndësi historike që hap një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve u nënshkrua Deklaratë për partneritet strategjik mes Republikës së Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky dokument ka për qëllim të forcojë dhe përmirësojë marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy vendeve, përfshirë bashkëpunimin në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë në aleancën brenda NATO-s, drejtësisë dhe punët e brendshme, luftën kundër krimit të rëndë dhe të organizuar, luftimi i korrupsionit dhe flukseve të paligjshme financiare, si dhe rritja ekonomike”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Dy ministrat, siç thuhet në njoftim, konstatuan se angazhimi i përbashkët për partneritet strategjik dhe nënshkrimi i sotëm i Deklaratës hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet bilaterale.
Në takim u diskutua gjithashtu për marrëveshjen e fundit “qeveri me qeveri”, e cila do të rrisë tregtinë, do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të mundësojë realizimin e një sërë projekteve infrastrukturore. Në këtë drejtim, u theksua se kjo marrëveshje do të mundësojë realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në sektore të ndryshme, përfshirë transportin, shëndetësinë, energjinë dhe teknologjinë. Gjithashtu, ranë dakord që gjatë periudhës në vijim do të vazhdojnë të punojnë së bashku për përmirësimin e bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin brenda Aleancës NATO, kontributin për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global, si dhe për bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe.
Në kuadër të vizitës së punës në Londër, ministri Mucunski sot u takua me anëtarët e grupit parlamentar për bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pasdite do të mbajë fjalim në forumin e biznesit, ku do të fokusohet në mundësitë dhe potencialet për investime në vend.
Comments are closed for this post.