“Qeveria e Maqedonisë së Veriut pret që takimet e grupeve të punës me Bullgarinë të vazhdojnë siç është rënë dakord madje është dakorduar dhe data për mbajtjen e takimit të 4-të të Grupit të Punës 3”, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme për “Sloboden Peçat”, në lidhje me dialogun aktual të bashkëpunimit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes që filloi në janar.
Për një muaj të tërë nuk është mbajtur asnjë takim i grupit punues, as vizita e ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, e cila është dashur të vizitojë Shkupin më 23 mars. Takimi më pas u shty për shkak të takimeve urgjente në Bruksel, por më pas nuk u ricaktua më për shkak se dy vendet i “ftohën” marrëdhëniet pas hapjes së klubit bullgar “Vanço Mihajlov” në Manastir.
“Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për angazhimin që dy qeveritë kanë marrë në aspektin e punës dhe intensifikimit të bashkëpunimit sektorial, përmes formës së dakorduar për realizimin e komunikimit intensiv bilateral, me qëllim të thellimit të marrëdhënieve me Republikën e Bullgarisë. Në këtë kontekst, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon me zotimet dhe obligimet e marra dhe pret punën e mëtutjeshme të të gjitha grupeve punuese, e gjitha me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dypalësh për të mundësuar avancimin e planit të integrimeve evropiane, në të cilin Maqedonia e Veriut Bullgarinë e sheh një partner dhe aleat të vërtetë i cili në vendimet e saj do të udhëhiqet nga interesi, vlerat e përbashkëta evropiane, por edhe siguria e rajonit dhe e Evropës”, thonë nga MPJ.
Ata shtojnë se deri më tani të pesë grupet punuese kanë mbajtur nga tri takime, ndërsa takimet e fundit janë mbajtur më 4 prill në Shkup, kur është takuar Grupi Punues 3 për Integrime Evropiane dhe Politika të Gjelbërta. Më 14 prill u mbajt mbledhja e parë e Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për hapjen e pikës kufitare Klepalo, si një nga projektet bazë dhe prioritare në kuadër të Grupit të Punës 2 për infrastrukturën, transportin dhe lidhjen.
“Është duke u dakorduar data për takimin e 4-të të Grupit Punues 3, ndërsa më 12 dhe 13 maj në Sofje do të mbahet takimi i 19-të i Komisionit Ekspert Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore. Ministrat e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë komunikim të rregullt në raste dhe ngjarje të ndryshme, të cilat në këtë periudhë janë të fokusuar më së shumti në NATO”, thonë nga MPJ.
Comments are closed for this post.