Ministri serb, Nemanja Staroviç, ka pretenduar se hapja potenciale e urës mbi lumin Ibër që e bashkon Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut për qarkullimin e automjeteve mund të shkaktojë një përshkallëzim të madh në terren.
“Ura e Ibrit është pika e fundit e rezistencës së serbëve”, ka deklaruar ai në një intervistë për mediumin serb TV Prva.
Megjithatë sipas tij prania e Misionit të NATO-s, KFOR-it, garanton sigurinë e serbëve në Kosovë.
Duke folur për aksionin e fundit të Policisë së Kosovës ku u mbyllën disa degë të postës së Serbisë në Veriun e Kosovës, Staroviç, ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për mos-veprim e për asnjë masë konkrete.
“Kjo ofendon disi arsyen e shëndosh. Më mirë do të ishte të mos kishin reaguar fare dhe të kishin thënë sinqerisht se Kurtit i është lënë në dorë të bëjë atë që dëshiron”, ka pretenduar ai.
Siç pretendon Staroviç, Kurti është i vetëdijshëm për ndryshimet gjeopolitike, andaj “po tenton t’i antagonizojë serbët e Kosovës”.
“Situata në terren është shumë e vështirë. Presionet mbi popullin serb në dy vitet e fundit kanë qenë shumë të theksuara”, ka vazhduar pretendimin ai.
Komuniteti serb në Kosovë do të protestojë të mërkurën, për siç kanë thënë ata “gjendjen e keqe të serbëve”.
Protesta pritet të fillojë nga ora 11:00, ndërsa protestuesit pritet të mblidhen në sheshin “Car Lazar” në Veri të Mitrovicës.
Mediat në serbi raportuan të martën se protesta ka të bëjë edhe me pakënaqësinë e serbëve lidhur me mundësinë e hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.
Gjatë protestë për të ruajtur mbarëvajtjen dhe sigurinë prezentë do të jetë edhe Policia e Kosovës.
Comments are closed for this post.