Kryetari i OBRM-PDUKM-së pret fitore në pjesën më të madhe të komunave në zgjedhjet e 17 tetorit. Mickoski tha se pritjet e tij i bazon sipas anketave të fundit.

Ai sot morri pjesë në hapjen e Akademisë politike 2021: “Nxitja e demokracisë në nivel lokal – Ndërtimi i mirë i politikave të mira dhe strategji për zhvillim lokal” në organizim të OBRM-PDUKM-së dhe fondacionit “Konard Adenauer’.

“Bashkëpunimi me ‘Konard Adenauer’ vazhdon edhe në këto zgjedhje lokale. Këto ditë për ne janë të rëndësishme. Unë pres fitore dhe këtë e bazoj sipas anketave të fundit dhe kjo fitore do të jetë në shumicën e komunave të Maqedonisë”, tha Mickoski.

Ai shpreson se pas këtyre zgjedhjeve do të ketë Qeveri të re e cila, siç thotë Mickoski, do të mbajë leksione se si punohet ndershëm dhe si luftohet krimi dhe korrupsioni.

Mickoski tha se në plan kanë fushatë pozitive në zgjedhjet lokale dhe nuk do të merren me kandidatët e LSDM dhe BDI-së për shkak se qytetarët këtë e dinë.

“Ne në këto zgjedhje do të dalim me fushatë pozitive, fushatë e shpresës që do të ofrojë zgjidhje për problemet aktuale në shoqërinë tonë. Këtu mendoj në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, shumë projekte, llogardhënie, transparencë dhe punë me ndershmëri nga të gjithë”, tha Mickoski.