Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot së bashku me nënkryetarin Aleksandar Nikolloski dhe anëtarin e KE-së të VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshoski zhvilluan një takim me Manuel Saracin, përfaqësues special i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor.
Në takim Mickoski dhe Saracin biseduan për gjendjen aktuale politike dhe ekonomike, si dhe për procesin e eurointegrimeve të vendit në Bashkimin Evropian.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së ka theksuar se vendi po përballet me sfida të mëdha si në plan të brendshëm ashtu edhe në të jashtëm, duke theksuar se qytetarët po fundosen në varfëri gjithnjë e më të madhe, ndërsa zyrtarët e lartë qeveritar, ka thënë, po pasurohen në kurriz të qytetarëve, sepse ka shkallë të lartë të krimit dhe korrupsionit nga ana e Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së.
Mickoski, siç njoftuan nga VMRO-DPMNE, e ka informuar Saracin edhe për “keqpërdorimet në Kuvend që i bën pushteti në lidhje me shfrytëzimin e flamurit evropian për ligjet në lidhje me marrëveshjen e Behtel dhe Enka për krimin historik”, duke shtuar se në atë mënyrë nuk i lejohet opozitës të diskutojë për vërejtjet e ligjeve.
“Kryetari Mickoski edhe një herë e konfirmoi qëndrimin e partisë për procesin e integrimeve evropiane dhe fillimin e negociatave, duke shtuar se qytetarët e Maqedonisë duhet të jenë sa më shpejt pjesë e BE-së, por që procesi të bazohet ekskluzivisht në proceset dhe parimet evropiane, jo për shantazhe dhe kërcënime nga Bullgaria fqinje”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.
Bashkëbiseduesit u pajtuan për avancimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit, ndërsa Mickoski u falënderua për mbështetjen nga Republika Federale e Gjermanisë.
Comments are closed for this post.