Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në profilin e tij në Facebook, postoi një foto teksa shihet I relaksuar dhe duke shijuar bukuritë malore.

“Zjarr, Mali Ograzhden dhe Maqedonia e lirë. Disa ditë për strategjinë dhe hapat që duhet t`i ndërmarrim” – shkruan Mickoski.

Përtej idilës së Mickoskit, duket se për momentin midis VMRO-së dhe VLEN-it nuk bisedohet për ndarjen e resorëve dhe çështjet kadrovike, por për parimet e dhe partneritetin me partnerët potencial të koalicionit.

Të paktën, kështu kanë pohuar përfaqësues të dy taborreve, të cilët të shtunën dakorduan parimet e përgjithshme të bashkëpunimit që do të bazohet në postulatet për eurointegrimet, zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Në paraqitjet publike por dhe në deklaratat paszgjedhore, duket se ekonomia do të jetë fusha që do t`i kushtohet më shumë vëmendje. Kjo mund të shihet edhe në postimet e videove të shkurta në Facebook të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit.

“Programi ynë ekonomik bazohet në investime e jo në harxhime publike. E pamë se deri ku na solli, kështu që këto procese duhet të shkojnë si investime, produktivitet, paga më të larta, duhet të shkojnë paralelisht. Projektin që ishte bartës – 250 milion euro për Komunat, 5.000 denarë për pensionistët, e gjithë kjo nis të funksionojë që nga vjeshta”.