Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerim dhe vendet kandidate duhet të plotësojnë kriteret, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të premten në Granada, para fillimit të samitit joformal të BE-së, ku do të diskutohet për BE-në e re.
Michel tha se samiti i Bashkimit Evropian në Granada është “shumë i rëndësishëm sepse do të fillojë debati për agjendën strategjike të Bashkimit Evropian”, dhe debati do të zhvillohet në tri drejtime.
“Së pari – çfarë duam në të ardhmen, cilat do të jenë prioritetet dhe politikat tona të përbashkëta, duke marrë parasysh planet e zgjerimit. Së dyti – si do të vendosim së bashku dhe së treti – si do të paguajmë për politikat dhe iniciativat e përbashkëta në të ardhmen”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Michel.
Mali i Zi dhe Serbia kanë zhvilluar negociata prej vitesh, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i hapën zyrtarisht vetëm vitin e kaluar. Bosnja e Hercegovina mori statusin e kandidatit në dhjetor të vitit të kaluar, gjysmë viti pas Ukrainës dhe Moldavisë, dhe këto vendime u përshpejtuan nga pushtimi rus i Ukrainës. Kosova dhe Gjeorgjia kanë statusin e kandidatit potencial.
“Zgjerimi do të thotë që vendet kandidate duhet të zbatojnë reformat, ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Dhe Bashkimi Evropian duhet të përgatitet”, theksoi Michel.
Comments are closed for this post.