Punëtorët shëndetësorë, atletët, zjarrfikësit, policët dhe ushtarët, minatorët, fermerët, vullnetarët e Kryqit të Kuq, skautët, si dhe ansamble kombëtare dhe shoqëritë kulturore dhe artistike do të defilojnë sot në qendër të kryeqytetit me rastin e 30 vjetëve të pavarësisë së shtetit, shkruan Alsat.
Festa qendrore do të hapet para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut duke filluar nga ora 17:30 dhe do të fillojë me shfaqjen e veprës “Simfonia për Filarmoninë”, vepër e kompozitorit Zhivoin Glisiç, pas çka pëson defileja.
Sipas protokollit, pjesa zyrtare e manifestimit do të nis në orën 18:30 me intonimin e himnit të Maqedonisë së Veriut nga Orkestra Ushtarake, më pastaj vijojnë fjalimet e zyrtarëve shtetërorë. Fjalim do të mbajë presidenti i vendit Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev.
Pas fjalimit të kryeministrit, pra në orën 19:30 pritet të nis pjesa muzikore, fillimisht me interpretimin e një kënge të aranzhuar posaçërisht për këtë rast, pas çka do të vazhdojë programi me pjesë muzikore nga solistë të famshëm të cilët së bashku me Filarmoninë Kombëtare do të interpretojnë disa këngë zbavitëse.
Përveç, zyrtarëve dhe mediumeve, në manifestim do të marrin pjesë edhe 1000 qytetarë të akredituar, të cilët posedojnë certifikatë të vaksinimit.
Në lidhje me: Regjim i posaçëm në Shkup, disa rrugë të pakalueshme për shkak të manifestimit të Ditës së Pavarësisë
Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 30-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli shtetin të pavarur dhe sovran.
Ky referendum atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozitën e arritur në Kushtetutën e re. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”
Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Hije në ngjarjet me të cilat u vendosën themelet e Maqedonisë së pavarur, hodhi bojkotimi i referendumit nga ana e bashkësisë etnike shqiptare dhe mospërkrahja e Kushtetutës së re nga deputetët shqiptarë. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina…
Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.
Subjektiviteti ndërkombëtar-juridik i shtetit definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtare e 181-të në Organizatën botërore. Megjithatë për shkak të kundërshtimeve dhe presioneve të Greqisë, për shkak të emrit, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit me Greqinë ishte arritur më 17 qershor 2018, sipas së cilës vendi emërtohet si Republika e Maqedonisë së Veriut.
Republika e Maqedonisë së Veriut deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.
Gjatë viteve të kaluara të pavarësisë Republika e Maqedonisë së Veriut kaloi në një sërë problemesh dhe vështirësish, derisa vjet u bë anëtarja e tridhjetë e NATO-s.
Vendi aktualisht ka kontest të hapur me Bullgarinë në lidhje me çështjet e identitetit. Sofja zyrtare ka bllokuar marrjen e datës për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Comments are closed for this post.