Prej sot hyn në fuqi vendimi i Qeverisë për heqjen e orës policore në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim siç njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë, është sjellë në bazë të analizave detaje gjatë tre muajve, që nga regjistrimi i rastit të parë me coronavirus në vend.

Ministria e Shëndetësisë tha se rekomandimet janë respektuar dhe kanë dhënë rezultate të caktuara.

Ata apelojnë tek qytetarët që edhe më tej t’i respektojnë masat dhe rekomandimet për mbrojtje nga coronavirusi, edhe përkundër lehtësimit të masave.

E detyrueshme është mbajtja e pajisjeve mbrojtëse, larja e shpeshtë e duarve, si dhe mbajtja e distancës fizike.

“Vetëm përmes respektimit të këtyre masave, ne mund ta mbrojmë shëndetin tonë dhe të afërmve tonë. Prej të gjithë neve varet ballafaqimi me coronavirusin”, thonë nga ministria.