Ish-zonja e parë e Hondurasit, Rosa Elena Bonila, 52-vjeçe, është dënuar me 58 vite heqje lirie për shkak të blerjes së stolive të ndryshme të arit me fonde shtetërore, raporton BBC.

Në sallën e gjyqit është deklaruar e pafajshme duke thënë se do të pendohen për këtë veprim gjykata, transmeton Telegrafi.

Bonila është shpallur fajtore pasi që në mënyrë të kundërligjshme me paratë e shtetit ka blerë stoli në vlerë prej 779 mijë dollarë, gjatë mandatit katërvjeçar të bashkëshortit të saj Porfirih Lob.

Në seancën gjyqësore është thënë se ajo ka shfrytëzuar paratë për blerjen e stolive, ka bërë pagesa pas kontrolleve nëpër qendra të ndryshme të bukurisë si dhe për shkollimin e fëmijëve të saj.

Kujtojmë që Bonila është arrestuar në shkurt të vitit të kaluar, pas një hetimi disamujor për shkak të “zhdukjes” së fondit publik, përfshirë edhe atë për blerjen e rrobave për fëmijët e varfër të Hondurasit.

Në pranga ka përfunduar edhe asistenti i saj personal Saul Escobar i cili është dënuar me 48 vite burgim.