Gazetari bjellorus, Raman Pratasevich, nuk u shfaq i befasuar për shkallën e intervenimit të autoriteteve për të shuar zërat kritikues, kur vitin e kaluar u lëshua një urdhërarrest ndaj tij, për gjoja organizimin e protestave anti-qeveritare përmes një kanali në Telegram.

Ai i tha Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë se “nëse njerëzit dërgohen në burg për shprehje të mendimit ndryshe, atëherë çfarë mund të thuhet për median më të madhe bjelloruse?”.

Autoritetet bjelloruse kanë aktivizuar një aeroplan ushtarak për të përcjellë aeroplanin civil, i cili ka qenë në rrugë në Vilnius nga Athina më 23 maj, për atë që në fund doli të ketë qenë alarm i rremë për bombë.

Kur aeroplani është ulur, policia ka ndaluar Raman Pratasevich, 26 vjeç, aktivist opozitar dhe gazetar, i cili përballet me akuza në Bjellorusi, për të cilat mund të mbetet 15 vjet në burg.

Pasi aeroplani zbriti në Minsk, një udhëtar i paidentifikuar i tha faqes së lajmeve letoneze Delfi se Protasevich u arrestua menjëherë dhe bagazhet e tij u kontrolluan.

“Ne e pyetëm atë se çfarë po ndodhte”, tha pasagjeri, për të shtuar se Protasevich “po dridhej” duke i thënë se “ata do të më ekzekutojnë këtu”.

Më vonë, përmes një videoje Protasevich tha se po bashkëpunon me autoritetet.

“Mund të them se nuk kam probleme shëndetësore. Unë vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit dhe po merrem në pyetje në lidhje me organizimin protestave masive në qytetin e Minskut”, tha ai në videon e transmetuar nga televizioni shtetëror bjellorus.

Në video dukej se ai kishte disa shenja të zeza në ballë.

Si u bë që ky gazetar i ri në moshë të bëhej një revolucionar digjital dhe të nxisë zemërimin e autoriteve bjelloruse?

Të përmendim se ai ka qenë edhe bashkëfitues i çmimit Sakharov të Parlamentit Evropian 2020 për Lirinë e Mendimit.

Gazetari Pratasevich ka qenë një një bashkëthemelues dhe kryeredaktor i Nexta-Live, një kanal lajmesh i përqendruar në Bjellorusi. Mediumi që ai udhëhiqte kishte fituar një kredibilitet si një burim alternativ dhe i besueshëm i informacionit. Raportimet që kishte bërë ky medium, kishin zemëruar autoritetet e Bjellorusisë.

Në kohën kur zgjedhjet e 9 gushtit në Bjellorusi u kundërshtuan si të manipuluara dhe shpërthyen protestat kundër Alyaksandr Lukashenkas, mediumi i tij kishte bërë një mbulim të mirë të ngjarjeve, duke u bazuar në materiale ekskluzive të siguruara nga qarqet qeveritare si dhe duke shfaqur me video dhunën e regjimit të Bjellorusisë.

Kur Lukashenka u shpall fitues i një mandati të gjashtë, protestuesit ishin gati, dhe kjo pjesërisht edhe falë raportimeve të Nexta-s, që postonte informacione përmes platformës së mesazheve Telegram, duke shmangur kështu kufizimet që kishte vendosur qeveria në internet.

Protestat u bënë të përditshme në Bjellorusi.

Nexta publikonte informacione për kohën dhe vendet ku do të takoheshin demostruesit, pastaj sugjerime se si t’iu shmangen organeve të sigurisë dhe udhëzime për ta mbajtur lëvizjen paqësore.

Pamjet e dhjetëra-mijëra arrestimeve dhe dhunës brutale u bën publike për botën e jashtme, pjesërisht nga ana e Nexta-s. Gazetarët që nuk punonin për mediat shtetërore, gjithashtu janë shënjestruar nga ana e organeve të policisë.

Më 2019, Pratesevich ishte larguar nga Bjellorusia për shkak të presionit nga ana e autoriteteve dhe ai e lëshoi punën në Nexta-Live në shtator të vitit 2020, për të punuar për një kanal tjetër të njohur në Telegram.

Në vazhdën e protestave, Nexta-Live dhe logoja e saj u shpallën si ekstremiste nga ana e një gjykate bjelloruse si dhe u urdhërua kufizimi i shpërndarjes së saj në internet.

Pas këtij vendimi faqja e lajmeve ndryshoi logon e saj dhe vazhdoi punën përmes mundësisë që i ofronte aplikacioni Telegram. Gazetari Pratasevich u akuzua për organizimin e protestave, prishjen e rendit publik, nxitje të urrejtjes si dhe u vendos në një listë mbikqyrjeje terroriste.

Vetë Protasevich postoi një kopje të një liste zyrtare bjelloruse të terroristëve, në të cilën u shfaq emri i tij. Ai hodhi poshtë të gjitha akuzat si të motivuara politikisht.

“Ky urdhër arresti tingëllon si një çmim i veçantë nga autoritetet shtetërore”, i tha Pratasevich, Current Time, rrjetit që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

“Duket se pushteti tashmë e konsideron çdo shprehje të mendimit ndryshe, si një krim. Ne mund ta shohim këtë në bazë të të dhënave të arrestuarve, nga statistikat e njerëzve që aktualisht mbahen në burg, etj”, tha ai.

Organizata Ndërkombëtare Amnesty International, duke ngritur çështjen e arrestimit të të paktën 33.000 personave, ka akuzuar autoritetet bjelloruse për “ngritjen e qindra çështjeve penale të motivuara politikisht kundër anëtarëve të opozitës politike, protestuesve dhe mbështetësve të tyre”.

Organizata ka thënë se në shumë raste autoritetet bjelloruse “arrestuan, rrahën, gjobitën ose deportuan gazetarë që mbuluan protestat”.

Pratasevich po punonte për “Belarus of the Brain”, një kanal tjetër i lajmeve në Telegram, gjithashtu i ndaluar nga qeveria.

Pratasevich ka qenë një ish-përfitues i Bursës së Gazetarisë Vaclav Havel, e ofruar nga Radio Evropa e Lirë së bashku me Ministrinë e Jashtme çeke.

Kur u shpall fitues i bursës në 2017-18, ai ishte ende një student i gazetarisë në Universitetin Shtetëror të Bjellorusisë.

Sipas një organizate që mbështet gazetarët bjellorusë, Solidariteti i Mediave, Pratasevich kohët e fundit ishte zhvendosur nga Polonia në Vilnius, ku është e vendosur udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya.

Ai kishte udhëtuar në Greqi kohët e fundit për të mbuluar një vizitë të Tsikhanouskaya. Babai i gazetarit, Dzmitry Pratasevich, i tha Shërbimit të Bjellorusisë të Radios Evropa e Lirë se ai u informua për arrestimin e djalit të tij në Telegram.

Prindërit e gazetarit, të cilët u transferuan jashtë vendit tetë muaj më parë, për t’i shpëtuar presionit në Bjellorusi, ishin në dijeni se djali i tyre ishte në Greqi, por nuk i dinin detajet e kthimit të tij në Vilnius.

“Ai nuk na informoi plotësisht për të gjitha lëvizjet e tij, ndoshta nuk donte që shumë ta dinim se ku ishte”, tha Dzmitry Pratasevich, një ish-ushtarak.

Raman Pratasevich kishte qenë i hapur në lidhje me faktin se prindërit e tij nuk i ndanin gjithmonë pikëpamjet e tij dhe babai i tij pranoi për Radion Evropa e Lirë se “kishin frikë nga persekutimi politik për aktivitetet e djalit të tyre”.

Sidoqoftë, Dzmitry Pratasevich tha se për punën e djalit të tij, “përfundimisht jeta tregoi se ai kishte të drejtë”.

“Siç edhe po duket, të gjithë njerëzit që po luftojnë për liri dhe pavarësi në vendin tonë kanë të drejtë,” tha ai.

Sipas tij regjimi i Lukashenkas po e shënjestron djalin e tij pasi “qeveria aktuale ka frikë nga gazetarët e pavarur, liria e fjalës, ka frikë se veprimet e saj do të bëhen të njohura për komunitetin ndërkombëtar”.

Ai shton se përmes “rrëmbimit” të aeroplanit ku gjendej djali i tij, autoritetet bjelloruse “po harrojnë se janë duke i dëshmuar botës se çfarë metoda përdorin”.

Veprimet e shtetit për të shuar disidencën ai i quajti “çnjerëzore”.