Ka arritur në 12 numri i personave të prekur nga virusi Koronë në Maqedoninë e Veriut. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se nga dhjetëra persona të testuar që janë në izolim, 4 kanë rezultuar pozitiv dhe për momentin kanë pasqyrë të lehtë klinike. Të infektuarit janë transferuar në Qendrën për Sëmundje Infektive. Për shkak të gjendjes së krijuar, Qeveria shpalli gjendje krize në komunat Dibër dhe Qendra e Zhupës. Në këto komuna rekomandohet lëvizje e kufizuar e banorëve.
Sot erdhën për testim materialet nga Qendra e Shëndetit publik në Dibër. 10 persona kanë treguar shenja për sëmundje respiratore. Epidemiologu lokal ka marrë materialet dhe i ka dërguar për testim, 4 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Do të thotë kemi edhe katër pacientë të tjerë që do të transferohen në klinikën për sëmundje infektive. Kjo ishte edhe arsyeja për të shpallur gjendje krize në Dibër dhe Qendrën e Zhupës dhe është kufizuar lëvizja e banorëve në këto komuna- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Derisa njoftoi për rastet e reja, ministri i Shëndetësisë tha se është përkeqësuar gjendja shëndetësore e pacientes së parë nga Dibra e cila mund edhe të vendoset në aparat për frymëmarrje artificiale. Ndërkohë autoritetet bëjnë thirrje për respektimin e përpiktë të masave kundër virusit Korona, ndër të cilat më të rëndësishmet janë qëndrimi në shtëpi, larja e shpeshtë e duarve, shmangia e hapësirave të mbyllura me shumë njerëz. Apel i posaçëm i është drejtuar prindërve që të mos e shfrytëzojnë pushimin e jashtëzakonshëm shkollor për t’i dërguar fëmijët e tyre nëpër kënde lojërash dhe aktivitete të tjera ku ka shumë fëmijë.
Comments are closed for this post.