Të paktën 100 persona mbetën të vdekur nga zjarri gjatë një ahengu martesor në provincën veriore Nineveh të Irakut, njoftuan sot autoritetet lokale. Po ashtu, 500 persona të tjerë u plagosën në zjarrin, i cili shpërtheu në sallën e dasmës Al Haytham në distriktin Al-Hamdaniya, raportuan mediat lokale, duke cituar Ahmed Hamdani, zëvendësdrejtorin e Departamentit të Shëndetësisë në Mosul.
Sipas raportimeve, në sallën e dasmës ishin 800 persona kur shpërtheu zjarri. Agjencia irakiane e lajmeve (INA) tha se zjarri u shkaktua nga fishekzjarret, qirinjtë dhe materiale të tjera që janë përdorur gjatë dasmës.
Në zonë u dërguan brigadat zjarrfikëse dhe ambulancat nga krahinat përreth. Ministri i Brendshëm, Abdul Amir Al-Shammari, gjithashtu u nis drejt vendngjarjes.
Pamjet e zjarrit që shpërtheu ndërsa nusja dhe dhëndëri po kërcenin qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale, duke treguar gjithashtu njerëz që vrapojnë majtas e djathtas në panik.
Comments are closed for this post.