Besimi i qytetarëve tek institucionet kalon nga i ulët në të moderuar dhe nuk ka asnjë institucion në vend që gëzon besim të lartë. Shprehur në shkallën nga 1 deri në 10, Qeveria me 2.8, Parlamenti me 2.7, partitë politike 2.5, Prokuroria publike 2.5 dhe gjykatat 2.4 janë institucionet në të cilat qytetarët kanë besimin më të ulët. Presidenti i shtetit ka besim në 3.5, policia 3.8 dhe pushteti lokal 3.7 gëzojnë besim të moderuar ndërsa institucioni me besimin më të lartë është ushtria 4.9. Mediat 3.5 dhe organizatat joqeveritare 3.5 gjithashtu kanë besim të ulët deri në të moderuar, ndërsa organizatat dhe aleancat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara 3.9, NATO 3.8 dhe BE-ja 3.5, dhe komunitetet fetare 4.4 gëzojnë besim të moderuar.
Këtë e dëshmon hulumtimi i opinionit publik “Praktikat për informim, ndjekjen e ngjarjeve aktuale dhe perceptimet e transparencës së institucioneve”, të cilën Instituti i Studimeve të Komunikimit e zhvilloi gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti. Hulumtimi shqyrtoi perceptimet e qytetarëve për besimin e tyre në institucione, transparencën dhe llogaridhënien, si dhe mënyrën se si qytetarët informohen dhe ballafaqohen me dezinformatat e mundshme.
Pothuajse dy të tretat e pjesëmarrësve në hulumtim (65.4%) nuk mendojnë se Qeveria punon hapur dhe në mënyrë etike, ndërsa një përqindje relativisht e lartë (63.2%) nuk pajtohen se Qeveria respekton institucionet demokratike të shtetit. Pothuajse gjysma (44.2%) e të anketuarve besojnë se Qeveria shpesh ka pretekst për zyrtarët që sillen në mënyrë të papërshtatshme. Sa i përket Kuvendit, më pak se 1% e të gjithë pjesëmarrësve në hulumtim besojnë se deputetët gjithmonë kujdesen për qytetarët që përfaqësojnë, ndërsa 2.9% se deputetët gjithmonë miratojnë ligje dhe politika që janë në interes të publikut. Në të kundërt, 58.4% e të anketuarve besojnë se deputetët kurrë nuk kujdesen për qytetarët, ndërsa 50.2% se ata kurrë nuk miratojnë ligje dhe politika që janë në interes të publikut.
Kur u pyetën nëse besojnë se Prokuroria Publike fillon rregullisht procedurat pas informacioni që kanë pranuar, më shumë se dy të tretat e qytetarëve shprehën mospajtim (72.5%), ndërsa pothuajse 40% nuk u pajtuan aspak që akuzat e ngritura nga prokuroritë, rregullisht kanë epilog gjyqësor. Madje 70% e të anketuarve besojnë se publiku nuk është i informuar për rrjedhën e procedurave gjyqësore.
SI ËSHTË KOMUNIKIMI I INSTITUCIONEVE SHTETËRORE ME PUBLIKUN?
Gjithashtu është e ulët kënaqësia midis qytetarëve me rregullsinë, disponueshmërinë, qartësinë dhe kuptueshmërinë e informacioneve nga institucionet shtetërore. Një përqindje shumë e ulët e të anketuarve besojnë se institucionet publike ndajnë rregullisht informacione (3.2%) ndërsa informacionet që ata ndajnë është i arritshëm (3.7%), i qartë (3.5%) dhe i kuptueshëm (4.1%).
Të pyetur për ngjarjet aktuale në periudhën e kaluar, një përqindje e lartë e qytetarëve u përgjigjën se institucionet shtetërore ndajnë pak ose aspak informacion për ndryshimet kushtetuese (64%), ndryshimet në Kodin penal (64.8%), marrëveshjen midis Qeverisë dhe kompanisë Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradave (65.6%) dhe koncesionin e minierave në Strumicë (60.3%).Më shumë se dy të tretat e të anketuarve besojnë se komunikimi i institucioneve shtetërore është përkeqësuar për sa i përket bazës së arsyeshme të fakteve (37%) ose nuk ka ndryshuar në krahasim me vitet e fundit (42.5%).
SI INFORMOHEN QYTETARËT?
Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve në hulumtim (55.6%) deklarojnë se dyshojnë në gjithçka që publikohet në media. Pavarësisht dyshimit të madh, më shumë se një e treta e të anketuarve (36.6%) nuk kontrollojnë botuesin/publikuesin e lajmeve, ndërsa më shumë se gjysma kurrë nuk kontrollojnë nëse lajmi ka një autor të nënshkruar (43.2%). Qytetarët kontrollojnë më shpesh, se si mediat e tjera raportojnë lajmet (42.2%) dhe konsultohen me njerëz që konsiderojnë se kanë njohuri për temën (43.9%).
Megjithëse dy të tretat e pjesëmarrësve të hulumtim (67.1%) deklaruan se mund të njohin dezinformatat, 41% e lartë u përgjigjën se ndonjëherë kanë ndarë lajme që më vonë kanë rezultuar të pasakta. Sipas hulumtimit, televizioni (66.2%) dhe mediat sociale (57.3%) janë burimi kryesor i informimit për qytetarët. Përqindje dukshëm më e ulët informohen përmes agregatëve të lajmeve në internet si Time.mk (19.7%) dhe faqet e internetit (20%). Pak më shumë se 10% informacionet e tyre i marrin nga miqtë dhe të njohurit, ndërsa gazetat (6.4%) dhe radioja (5.8%) janë burimi i informimit për përqindjen më të vogël të të anketuarve.
Comments are closed for this post.