Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut e shtyu për afat të pacaktuar seancën për rikthimin e amnistisë së ish-presidentit Gjorge Ivanov për afro 60 zyrtarë të lartë shtetërorë – disa prej të cilëve janë dënuar e disa po gjykohen për vepra të rënda penale gjatë kohës kur kanë ushtruar funksione të larta shtetërore.

Vendimi u mor me propozim të anëtarit të gjykatës Osman Kadriu, se ky institucion gjyqësor nuk mund të vendosë për këtë çështje, për faktin se Kuvendi ka hapur debat për shpalljen e pavlefshme të amnistisë së Ivanovit, më 12 prill të vitit 2016.

Në debatin e zhvilluar të mërkurën në mbledhjen e Kushtetueses, Kadriu tha se duhet të pritet vendimi i Kuvendit dhe më pas të shihet nëse ka lëndë apo jo për të cilën duhet të vendosin gjykatësit.

Nisma në Kuvend erdhi pasi Gjykata Kushtetuese fillimisht e miratoi nismën e një avokati të të akuzuarve për të shfuqizuar nenin 11a, me të cilin ish-presidenti, gati një muaj pas amnistisë, i ndodhur përballë presioneve të shumta, e anuloi amnistinë.

Kuvendi tani pritet ta shpallë të pavlefshëm edhe nenin 11 për falje, me çka pamundësohen nisma të tjera për të falur ish-zyrtarët e lartë shtetërorë, në mesin e të cilëve janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ministra, deputetë e zyrtarë tjerë të qeverisë së kaluar.

Para nisjes së procedurës parlamentare, qeveria miratoi konkluzionin e Ministrisë së Drejtësisë mbi interpretimin autentik të ligjit për falje, duke konstatuar se ish-presidenti nuk ka pasur të drejtë ligjore që t’i falë këta persona.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ftoi opozitën që të mbështesë nismën në Kuvend, por nga opozita thanë se janë kundër çdo amnistie dhe vendosën dy kushte: të gjithë ata që në njëfarë mënyre janë amnistuar në politikë të mos merren më me politikë dhe që amnisti në të ardhmen të mos ketë fare, në veçanti për njerëzit që merren me politikë.

Zaev, duke kritikuar punën e gjykatësve, e ftoi Komisionin Anti-Korrupsion që urgjentisht të nisë punën për kontrollin e pasurisë së tyre.

Zaev po ashtu tha se pret që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve të vlerësojnë përgjegjësinë, profesionalizimin dhe punën e gjykatësve dhe prokurorëve, për shkak të vjetërsimit të lëndëve gjyqësore./REL/