Mbetjet e uraganit Ida shkaktuan shira të furishëm dhe përmbytje në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara.

Qyteti i Nju Jorkut shpalli gjendje të jashtëzakonshme, pasi u godit nga reshje rekorde të shiut.

Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se qyteti “po përjeton një ngjarje historike të motit”, me “përmbytje brutale” dhe “kushte të rrezikshme” në rrugë.

Pamjet në mediat sociale treguan sasi të mëdha uji që derdheshin në stacionet e metrosë dhe në shtëpitë e njerëzve.

Shteti i Nju Xhërsit gjithashtu shpalli gjendje emergjence dhe raportoi së paku një viktimë.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se ka regjistruar 8 centimetra shi në Parkun Qendror të Nju Jorkut në një orë.

Policia e Nju Jorkut u bëri thirrje njerëzve që të qëndrojnë larg rrugëve, ndërsa Departamenti i Zjarrfikësve tha se po u përgjigjet thirrjeve nga i gjithë qyteti.

Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, po ashtu kërkoi nga banorët që të qëndrojnë brenda.

“Ju lutemi qëndroni jashtë rrugëve sonte dhe lërini reaguesit tanë të parë dhe shërbimet e urgjencës të përfundojnë punën e tyre. Nëse mendoni të dilni jashtë, mos dilni. Qëndroni jashtë metrosë. Qëndroni larg rrugëve. Qëndroni brenda”, shkroi de Blasio në Tëitter.

Pjesa më e madhe e metrosë së qytetit u mbyll, ndërsa shumë shërbime trenash dhe fluturime jashtë Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit u pezulluan.

Gjatë ditës, stuhia goditi edhe Pensilvaninë, Dellauerin, Merillendin dhe Uashingtonin. Erërat lanë pa energji elektrike dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa shirat shkaktuan përmbytje të shpejta.

Në pjesë të Pensilvanisë ranë 22 centimetra shi gjatë një periudhe 48-orëshe.

Në Merillend, një person vdiq dhe një tjetër u zhduk pasi kompleksi i tyre i apartamenteve u përmbyt, duke lënë së paku 150 njerëz pa strehë.

Stuhia tropikale Ida goditi shtetin e Luizinaës të dielën, si uragan i kategorisë 4.

Qindra mijëra shtëpi në Luiziana mbeten pa energji elektrike, ndërsa qyteti Nju Orllins ka vënë orë policore gjatë natës.

Në përmbytje kontribuojnë shumë faktorë, por atmosfera e ngrohtë, e shkaktuar nga ndryshimet klimatike, i bën më të mundshme reshjet ekstreme.

Bota është ngrohur për rreth 1.2 gradë Celsius qëkur ka filluar epoka industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve të gazrave.