Ambasadori i ri i BE-së, David Geer inkurajoi Maqedoninë e Veriut t’i zbatojë dy marrëveshjet e lidhura me fqinjët, me Greqinë dhe Bullgarinë. Geer nuk komentoi se si është atmosfera e brendshme në Këshillin Evropian derisa po harmonizohet korniza negociuese për vendin tonë, se si do të reflektohet memorandumi i Bullgarisë në kornizë dhe nëse edhe shtetet tjera anëtare kanë bërë vërejtjet e tyre. Geer vetëm tha se vendimi historik për fillimin e negociatave u soll qysh në muajin mars dhe se shpreson që vendet anëtare sa më parë ta përfundojnë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, pas çka do të pasonte konferenca e parë ndërqeveritare, me shpresë para se të mbarojë viti. Me fillimin zyrtar të negociatave vendit i mbetet “t’i përvesh mëngët dhe t’i përshpejtojë përpjekjet për anëtarësim në BE”.
Kryeministri, Zoran Zaev nga ana tjetër paralajmëroi takim me homologun bullgar, Bojko Borisov jo më vonë se 10 nëntori, për të biseduar lidhur me çështjen e Goce Dellçevit dhe bashkë-organizimin e Samitit të Sofjes në kornizë të Procesit të Berlinit, që është paralajmëruar të mbahet më 10 dhe 11 nëntor. Zaev tha se për këtë po pret konfirmim nga pala bullgare. U shpreh optimist se ndërkohë komisioni e ekspertëve do të ofrojnë mundësi për tejkalimin e dallimeve.
Comments are closed for this post.