Ambasadori i Bashkimit Evropian, David Geer, ka deklaruar sot se Maqedonia është shtet i cili pranon reformat e sygjeruara nga BE-ja, prandaj sipas tij është i qartë dhe zhgënjimi i qytetarëve ndaj politikës së BE-së ku përsëri gjërat nuk shkuan plotësisht në favor të Maqedonisë gjatë samitit të fundit.
“BE-ja mbetet me Maqedoninë e Veriut, është donatori më i madh në vend dhe mbështet reformat në fusha të ndryshme, investon në infrastrukturë, vende pune dhe biznese dhe është në interesin e të gjithëve që të fillojnë negociatat tani”, tha ambasadori i BE-së, David Geer në mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE, që u mbajt sot në Shkup.
Geer foli në emër të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Komisionit Evropian, duke thënë se pavarësisht zhvillimeve të rëndësishme gjeopolitike në Samitin e BE-së, bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë për fat të keq nuk mund të hapen, duke theksuar se përpjekjet janë të vazhdueshme.
Ai tha se ishte i vetëdijshëm për valën e zhgënjimit si tek politikanët ashtu edhe tek publiku, duke shtuar se Maqedonia e Veriut po bën përparim në reformën në drejtësi, në zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi 2017-2022, duke përmendur Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë si shembull në rajon.
Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se progresi në dixhitalizimin e gjyqësorit do të jetë vendimtar për sigurimin e transparencës dhe efikasitetit, por edhe për ndërtimin e besimit të publikut tek institucionet.
“Presim të plotësohet numri i gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, pa të cilët ai nuk mund të funksionojë”, tha Geer.
Projekti “MPC Forum”, i cili u mbajt sot, u themelua në vitin 2004 në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, është një forum ku anëtarët e Kuvendit dhe Parlamentit Evropian shkëmbejnë përvoja, opinione dhe pikëpamje për të forcuar partneritetin reciprok.
Komisioni mblidhet dy herë në vit – një herë në Asamblenë e Maqedonisë dhe një herë në Parlamentin Evropian.
Comments are closed for this post.