Ministria e Drejtësisë thotë se do të veprojë në përputhje me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare sa i përket kërkesës së Ankarasë Zyrtare për dëbimin dhe ekstradimin e 86 shtetasve turk nga vendi. Turqia i akuzon ata si bashkëpunëtorë të siç e quan organizatës terroriste FETO.

Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar me organet turke për këtë çështje. Për rastet dhe personat për të cilët pyesni do të procedohet sipas ligjeve aktuale të vendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare – thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Përgjigjja nga kabineti i Ministrit Mariçiq erdhi një ditë pasi Ambasadori turk në Shkup publikisht kërkoi nga shteti ynë që të dëbohen 86 shtetas turk të akuzuar në Ankara për terrorizëm. Për 20 prej tyre kërkojnë ekstradim. Ambasadori Hasan Mehmet Sekziçok deklaroi se strukturat e Feto-s vazhdojnë të jenë prezent në vend të fshehur pas perdeve të institucioneve arsimore private dhe kompanive tregtare.

Të gjitha këto kërkesa u janë dërguar autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim – deklaroi Hasan Mehmet Sekziçok, Ambasadori i Turqisë në Shkup.

Kërkesë të tillë ambasada turke bëri edhe para katër vjetësh. Respektivisht, pas grusht shtetit të dështuar në Turqi më 15 korrik të 2016-ës, ku mbetën të vrarë mbi 250 persona rreth 2,000 u lënduan. Sot në përkujtim të këtyre viktimave, Presidenti turk Erdogan kërkoi që të gjitha shtetet të bëjnë ekstradimin e “gylenistëve”, siç i quajti pjesëtarë të organizatës terroriste “FETO”