Më shumë se 180 milionë denarë ka investuar Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në rikonstruktimin, rindërtimin dhe ndërtimin e kopshteve të fëmijëve dy vitet e fundit. Për vitin e ardhshëm në Buxhetin e Ministrisë janë planifikuar 105 milionë denarë të rinj për dedikimin e njëjtë.

“Ne si Ministri kujdesemi t’i nxisim vetëqeverisjet lokale të investojnë në mbrojtjen e fëmijëve, por edhe ne si Qeveri investojmë në zhvillimin e saj, e veçanërisht në infrastrukturën e kopshteve. Investuam më shumë se 180 milionë denarë  vetëm për rindërtim, rikonstruktim, ndërtim dhe zgjerim të kopshteve. Në mënyrë shtesë për vitin e ardhshëm janë planifikuar 105 milionë denarë për investim nl infrastrukturë në mbrojtjen e fëmijëve”, tha Carovska gjatë vizitës në kopshtin “11 Oktomvri” në Komunën e Butelit.

Së bashku me kryetarin e Komunës së Butelit, Velimir Smilevski, shtoi ministrja, patëm mundësi ta vizitojmë pjesën e cila është rinovuar dhe me kapacitet të zgjeruar për dymbëdhjetë fëmijë.

“Paralelisht  jo vetëm që punojmë në infrastrukturë, punojmë në kapacitetet e të punësuarve në kopshte dhe të motivimit të tyre sepse pagat në kopshte ishin në nivel të keq”, tha ministrja dhe potencoi se rritja e fundit e pagave mesatarisht në këtë veprimtari janë rritur për 5.700 denarë vetëm për dy vjet e gjysmë.

Kryetari Smilevski theksoi se Komuna e Butelit në dy vitet e fundit, me mbështetjen  edhe të MPPS, seriozisht ka punuar në zgjidhjen e të gjitha problemeve në kopshte.

“Si komunë në dy vitet e fundit kemi shpenzuar më shumë se 19 milionë denarë për rinovimin dhe pajisjen e nevojshme për kopshtet dhe fëmijët”, tha kryetari dhe paralajmëroi se në dy vitet e ardhshme do të ndërtohet kopsht i ri, ndërsa të gjitha objektet e tjera do të rregullohen.