Kampionati Botëror i futbollit do të fillojë pas 12 ditësh, por kritikat nuk janë ndalur ende ndaj atyre që ia dhanë Katarit organizimin e garës më të rëndësishme të futbollit botëror.
E njëri prej tyre është edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, i cili në atë kohë akuzohej se kishte marrë ryshfet për t’ia dhënë këtë të drejt vendit arab.
E tash, Blatter duket se i ka rënë pishman që vendosi që Katarit t’i jepet organizimi i Kupës së Botës për vitin 2022.
“Ishte një zgjedhje e gabuar dhe unë jam përgjegjës, pasi isha president i FIFA-s në atë kohë”, deklaroi Blatter në një intervistë dhënë për “Tamedia”.
Sipas tij, është dashur që pas Rusisë 2018, në vitin 2022 t’i jepej organizimi Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do të ishte një gjest i paqes së këtyre dy vendeve opozitare politike, nëse do ta organizonim Kupën e Botës një herë në njërin e më pas në tjetrin vend”, përfundoi Blatter.
Katari është akuzuar për keqtrajtimin e punëtorëve që punuan në infrastrukturë, mbi të gjitha në stadiume, pasi shumë punëtorë me trajtim çnjerëzor dhe pa siguri në punë, e gjetën edhe vdekjen.
Gjithashtu, edhe zhvendosja e Botërorit në muajin nëntor/dhjetor e kanë çrregulluar orarin e kampionateve nacionale.
Comments are closed for this post.