BDI-ja tani bën thirrje të shfuqizohet modeli i qeverisë teknike edhe pse një vit më herët nuk u arrit konsensus për një nismë të tillë ligjore të dorëzuar në Kuvend nga VMRO-DPMNE-ja. Nisma e partisë së Mickoskit për shfuqizimin e qeverisë me mandat 100 ditor sipas modelit të Përzhinës nuk u vendos kurrë në rend dite në fillim të vitit 2022, si mungesë e konsensusit politik. Artan Grubi nga BDI-ja tani thotë se kjo duhet të bëhet për të mos krijuar pengesa për krijimin e qeverisë së zgjeruar që ja ofroi Kovaçevski-Mickoskit.

“Përveç gatishmërisë për të lënë qeverinë ne ofruam dhe dorëheqjet tona, larguam të gjitha kushtet tjera dhe tani, sot, përpara jush gjithashtu kërkoj që të hiqet qeveria e pakuptimtë teknike e Përzhinës nga ligji për qeverinë që të mos jetë asnjë pengesë në të ardhmen”, tha Artan Grubi, BDI.

Heqja e qeverisë teknike me mandat 100 ditor vë në pikëpyetje marrëveshjen për kryeministrin e parë shqiptar dhe mënyrën se si ajo mund të realizohet.

Partitë më të mëdha edhe më herët kishin rënë dakord se ai është jofunksional dhe duhet të shfuqizohet. Spasovski ishte kryeministër i fundit teknik në 2020-ën.

“Sa më shpejtë që të hiqet qeveria teknike, aq më shpejtë institucionet do të demokratizohen, do të ketë besueshmëri më të madhe në institucione. Unë mendoj se asgjë nuk është e njëjtë si në vitin 2016, kur ishim në një shtet të kapur. Tani të gjithë jemi në një nivel më të lartë edhe si subjekte politike, edhe vetëdija tek qytetarët është më e lartë. Sipas meje nuk ka nevojë për asnjë qeveri kalimtare, teknike sido që ta quani, sepse mendoj se institucionet kanë kapacitet të marrin vendime për qytetarët”, u shpreh Oliver Spasovski, ish kryeministër teknik./alsat.mk