Bashkësia Fetare Islame nën patronazhin e Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Fetai organizoi manifestimin tradicional “Bakllavaja e Bajramit”. Pjesë e këtij manifestimi ishin dhe Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova, kryetarja e Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, Olivera Trajkovska, krerët e bashkësive fetare, përfaqësues të korit diplomatik në vend, deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të organizata civile, përfaqësues të mediave, imamë, afaristë dhe shumë figura të shquara të jetës publike dhe politike në vend.
Të pranishmit i përshëndeti, nikoqiri i manifestimit, Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai i cili u dëshiroi mirëseardhje. Kreu i BFI-së mes tjerash tha; “Është një privilegj i madh t’ju mirëpres në këtë manifestim tradicional të Bakllavasë së Bajramit, një rast i mrekullueshëm që na bashkon për të festuar unitetin, mirënjohjen dhe frymën e mikpritjes. Kjo mbledhje nuk ka të bëjë vetëm me ëmbëlsinë e bakllavasë, por edhe me ëmbëlsinë e jetës, dhuratën e paçmueshme që të gjithë e ndajmë”. tha me këtë rast kreu i BFI-së Shaqiri Fetai.
Në fjalimin e tij në vijim Kreu i BFI-së tha se pavarësisht dallimeve tona, tubime të këtilla duhet të jenë frymëzim për miqësi dhe respekt të ndërsjellë, sepse kjo shërben si dritë shprese dhe na kujton se të gjithë jemi të njëjtë; “Le të marrim frymëzim nga kjo mbledhje, ku njerëz nga prejardhje të ndryshme vijnë së bashku në një frymë miqësie dhe respekti të ndërsjellë. Mund të shërbejë lidhja që krijojmë këtu sot si një dritë shprese dhe një kujtesë se, pavarësisht dallimeve tona, jemi të gjithë pjesë e së njëjtës familje njerëzore”.
Në fund të fjalimit të tij, Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai falënderoi pjesëmarrësit dhe u lut që Zoti të na bekojë me mirësi, paqe dhe të na japë forcë të punojmë të gjithë për ngritjen e vlerave njerëzore. “Lutem që Allahu (xh.sh.) të na bekojë të gjithëve me urtësi, durim dhe forcë ndërsa punojmë së bashku për të kultivuar vlerat që ngritin dhe mbrojnë jetën njerëzore. Qoftë Ai udhëzuesi ynë drejt unitetit dhe paqes, dhe qoftë Ai të na japë aftësinë për të shërbyer si kujdestarë të krijimit të Tij me përulësi dhe dhembshuri. Ju faleminderit që jeni bashkuar me ne në këtë rast të veçantë. Gëzuar festën e Fitër Bajramit dhe le të mbushen zemrat dhe shtëpitë tuaja me paqe dhe begati”, përfundoi fjalën e tij Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai.
Comments are closed for this post.